SPERTK mirëpret vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve buxhetore, anulon protestën e paralajmëruar për të hënën

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës ka falënderuar të gjithë kolegët e RTK-së për gatishmërinë dhe angazhimin në protestat dhe veprimet sindikale të ndërmarra gjatë këtyre javëve. SPERTK thekson se një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata kolegë që, pavarësisht se nuk morën paga vazhduan punën me përkushtim për të mos

SPERTK mirëpret vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve buxhetore, anulon protestën e paralajmëruar për të hënën

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës ka falënderuar të gjithë kolegët e RTK-së për gatishmërinë dhe angazhimin në protestat dhe veprimet sindikale të ndërmarra gjatë këtyre javëve.

SPERTK thekson se një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata kolegë që, pavarësisht se nuk morën paga vazhduan punën me përkushtim për të mos lënë qytetarët pa informim, duke mbrojtur kështu misionin themelor të transmetuesit publik.

“Falënderojmë gjithashtu Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), mbi 15 milionë sindikalistë në SHBA, Qendrën Solidare, Sindikatën e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias në Shqipëri (SGPM), si dhe të gjitha mediat dhe kolegët në Shqipëri që u solidarizuan dhe mbështetën SPERTK-në.

Sindikata mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore që do t’i mundësojnë RTK-së të dalë nga kriza aktuale financiare. Në këtë drejtim, njoftojmë se protesta e paraparë për datën 18 gusht anulohet. Falënderojmë secilin punëtor të RTK-së për përkrahjen dhe të gjitha mediat në Kosovë që u solidarizuan me ne”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, qëllimi i vetëm ka qenë dhe mbetet mbrojtja e RTK-së, sigurimi i buxhetit dhe garantimi i pagave për punëtorët e saj.

“I bëjmë thirrje Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës që me urgjencë të miratojë Ligjin e ri për RTK-në, të sigurojë financim të pavarur, rritje të buxhetit dhe ndryshim të formës së raportimit financiar një herë në vit për shpenzimet buxhetore. Po ashtu, kërkojmë që në rast mungese të Kuvendit të Kosovës, e drejta për ndarjen dhe alokimin e buxhetit të RTK-së të kalojë jo vetëm te Komisioni për Buxhet dhe Transfere, por edhe te Thesari, sipas ligjit, për të shmangur situata si kjo që sapo kaluam.

Po ashtu, kërkojmë nga Kuvendi i ri plotësimin e Bordit të RTK-së dhe të gjitha pozitave udhëheqëse në përputhje me ligjin për RTK-në, si dhe mbështetje të seriozë për transmetuesin publik në funksion të forcimit të tij”, thuhet tutje.

Në reagim thuhet se forcimi i RTK-së është forcim i lirisë së medias në një vend demokratik si Kosova.

“Të gjitha dokumentet që kemi kërkuar përmes pëlqimit tuaj për padi do të asgjësohen sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, si nga ne ashtu edhe nga Avokati Yll Zeka, dhe padia nuk do të dërgohet në Gjykatë. Një falënderim i veçantë shkon për Avokatin Yll Zeka për ndihmën pro bono që i ka dhënë SPERTK-së dhe gjithë punëtorëve të RTK-së”, thuhet në fund të njoftimit.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2.5 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës, me qëllim sigurimin e likuiditetit të transmetuesit publik. Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten.

RTK përballej me krizë financiare, pasi punonjësit kanë mbetur pa paga për shkak të mungesës së rialokimit të buxhetit për gjysmën e dytë të vitit, pas moskonstituimit të Kuvendit. Punëtorët kishin protestuar dhe paralajmëruar grevë e mosraportim të ngjarjeve nëse situata nuk zgjidhet shpejt.