Tirana reagon për mungesën e Himnit Kombëtar Shqiptar në Pustec: Mungesë serioze dhe shmangie nga protokolli

Tirana reagon për mungesën e Himnit Kombëtar Shqiptar në Pustec: Mungesë serioze dhe shmangie nga protokolli

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur keqardhje për faktin që Himni Kombëtar Shqiptar nuk u ekzekutua në një aktivitet të zhvilluar në Pustec, ku morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryetari i Bashkisë së Pustecit.

Në reagimin e saj, MEPJ thekson se, ndonëse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe e të zgjedhurve vendorë i jepte ngjarjes një dimension të veçantë publik.

Sipas ministrisë shqiptare, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit institucional.

“Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.

Ministria nënvizon se respektimi i simboleve kombëtare është pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike.

“Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona”, thuhet më tej në reagimin e ministrisë.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.