Transparenca për qiratë, rregulla të reja nga tetori
Nga 1 tetori 2025, qiramarrësit në disa kantone të Zvicrës do të kenë më shumë transparencë mbi qiranë e tyre fillestare. Këshilli Federal ka ndryshuar rregulloren për qiratë dhe qiranë, duke detyruar pronarët të ofrojnë informacione të detajuara mbi normën e interesit të referencës dhe inflacionin e zbatuar mbi qiranë e mëparshme. Këto ndryshime do […] The post Transparenca për qiratë, rregulla të reja nga tetori appeared first on Albinfo.

Nga 1 tetori 2025, qiramarrësit në disa kantone të Zvicrës do të kenë më shumë transparencë mbi qiranë e tyre fillestare. Këshilli Federal ka ndryshuar rregulloren për qiratë dhe qiranë, duke detyruar pronarët të ofrojnë informacione të detajuara mbi normën e interesit të referencës dhe inflacionin e zbatuar mbi qiranë e mëparshme.
Këto ndryshime do të aplikohen vetëm në kantonet ku përdorimi i formularëve të qirasë është i detyrueshëm: Cyrih, Gjenevë, Basel-Stadt, Fribourg, Lucerne dhe Zug, si dhe në disa pjesë të Neuchâtel dhe Vaud, shkruan SRF.
Në këto rajone, formularët zyrtarë duhet të përditësohen përpara hyrjes në fuqi të rregullores së re. Nëse një formular i vjetëruar përdoret pas 1 tetorit 2025, kontrata e qirasë mund të konsiderohet e pavlefshme në lidhje me qiranë fillestare.
Përveç transparencës së shtuar, qiratë e graduara – ato që rriten sipas një marrëveshjeje me faza – gjithashtu do të pësojnë ndryshime. Më parë, kërkohej një formular zyrtar për këto marrëveshje, por tani do të mjaftojë një formë e thjeshtë e shkruar, duke lehtësuar barrën administrative për pronarët, përcjell albinfo.ch.
Fillimisht, Këshilli Federal kishte propozuar një plan me katër pika për të frenuar rritjen e qirave, por tre masa të tjera u refuzuan pas rezistencës gjatë konsultimeve.
Ndër masat që nuk u miratuan janë:
Ndalimi i kalimit të rritjes së kostove të përgjithshme te qiramarrësit.
Llogaritje më e saktë e inflacionit në përcaktimin e qirave.
Më shumë hapësirë për qiramarrësit për të sfiduar qiratë fillestare.
Megjithatë, Këshilli Federal nuk ka hequr dorë plotësisht nga ndryshimet në këtë sektor. Zyra Federale për Strehimin do të rishikojë modelin aktual të llogaritjes së qirave, i cili daton nga vitet 1980 dhe konsiderohet i vjetëruar, shkruan SRF.
Çështja e qirave mbetet një temë e diskutueshme në politikën zvicerane. Parlamenti, i dominuar nga forcat konservatore, ka paralajmëruar se rregullimi i tepërt mund të pengojë investimet në ndërtimin e banesave. Nga ana tjetër, përpjekjet për të ndryshuar ligjin në favor të pronarëve kanë hasur në rezistencë: dy propozime të tilla u refuzuan në referendum vjeshtën e kaluar.
Të premten, Këshilli Kombëtar dërgoi një tjetër sinjal të qartë duke refuzuar njëzëri një nismë parlamentare që synonte ta bënte më të vështirë sfidimin e qirave fillestare. Megjithatë, diskutimet mbi çmimet e qirave vazhdojnë, me politikanët që duket se po ndjekin një qasje graduale dhe jo radikale në reformat e ligjit të qirasë, përcjell albinfo.ch.
The post Transparenca për qiratë, rregulla të reja nga tetori appeared first on Albinfo.