“Tregu i lirë” i energjisë me monopol në furnizim godet rëndë bizneset e mëdha kosovare

Megjithë kundërshtimet e vazhdueshme, bizneset e mëdha kosovare prej 1 qershorit 2025 do të detyrohen të hynë në tregun e lirë të energjisë elektrike, veprim ky që vlerësohet do të ketë efekt negativ zinxhiror në ekonominë e vendit. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në anën tjetër ka argumentuar se ky ndryshim do të sjellë

“Tregu i lirë” i energjisë me monopol në furnizim godet rëndë bizneset e mëdha kosovare

Megjithë kundërshtimet e vazhdueshme, bizneset e mëdha kosovare prej 1 qershorit 2025 do të detyrohen të hynë në tregun e lirë të energjisë elektrike, veprim ky që vlerësohet do të ketë efekt negativ zinxhiror në ekonominë e vendit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në anën tjetër ka argumentuar se ky ndryshim do të sjellë më shumë transparencë, efikasitet dhe liri zgjedhjeje për bizneset, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik afatgjatë. Sidoqoftë, një pjesë e madhe e komunitetit të biznesit ka ngritur shqetësime të mëdha.

Pikërisht për shkak të këtyre shqetësimeve, më 29 maj 2025 u mbajt një protestë e madhe në Prishtinë, ku bizneset bllokuan hyrjet kryesore të kryeqytetit me automjete të tonazhit të rëndë. Organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe grupe të tjera biznesore, protesta kishte për qëllim të kërkonte shtyrjen e hyrjes në tregun e lirë ose zbutjen e kushteve të tranzicionit.

Përfaqësuesit e bizneseve thanë se mungesa e përgatitjes, mungesa e furnizuesve të certifikuar dhe frika nga rritja e çmimeve janë ndër arsyet kryesore të pakënaqësisë. Sipas tyre, vendimi është marrë pa një analizë të plotë të ndikimit ekonomik dhe social, dhe rrezikon të dëmtojë shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

 

Rafuna: Dalja në tregun e lirë të energjisë të përcillen me subvencionim prej 50 milionë € nga shteti, mos të dëmtohen bizneset dhe konsumatorët

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka bërë të qarta kundërshtimet e fuqishme të komunitetit të bizneseve ndaj vendimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike nga 1 qershori 2025. Ai ka thënë se bizneset janë vendosur përballë një trysnie të padrejtë dhe të paarsyeshme, pasi, siç thotë ai, ofertat që kanë marrë deri më tani për furnizim me energji elektrike në tregun e hapur janë nga 220% deri në 400% më të shtrenjta se çmimet aktuale.

‘’Bizneset dëmtohen shumë nga kalimi në treg të hapur sepse deri tani ofertat që i kanë pranuar shkojnë prej 220-400% më shtrenjtë’’, tha Rafuna për FrontOnline.

Sipas Rafunës, problemi nuk qëndron te mungesa e përgatitjes së bizneseve, por te fakti që vetë tregu nuk është  i përgatitur. Sipas tij, para se të kërkohet që sektori privat të kalojë në treg të lirë, institucionet duhet të kishin krijuar një infrastrukturë funksionale dhe kushte të barabarta konkurruese. Ai thekson se dalja në tregun e lirë duhet të bëhet me vullnet dhe në kushte të favorshme për të gjetur energji më të lirë, jo më të shtrenjtë, ndërsa në këtë rast po ndodh pikërisht e kundërta.

‘’Qëllimi i daljes në treg të lirë është të gjejmë energji elektrike më lirë sesa që e kemi dhe këtu po ndodh e kundërta,në treg të lirë dilet me vullnet dhe shteti duhet ti kishte krijuar kushtet këtu po detyrohen më dhunë të dilet nga 1 qershor dhe shumë më shtrenjtë se tani ‘’, deklaroi Rafuna.

Rafuna ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm nga institucionet dhe ka paralajmëruar se, në mungesë të një reagimi, këshilli protestues do të mblidhet për të vendosur për hapat dhe protestat e ardhshme.

‘’Ne presim që të kemi reflektim të shpejtë nga ana e institucioneve nëse nuk ka këshilli protestues do të ulet dhe do të marrë vendim për hapat ose protestat e radhës’’, tha Rafuna.

Në këtë kontekst, OEK ka propozuar një zgjidhje konkrete: subvencionim prej 50 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, prej të cilave 15 milionë të ndahen për ndërmarrjet publike dhe 35 milionë për sektorin privat. Rafuna i ka bërë thirrje Kryeministrit Albin Kurti që të mos e transferojë barrën te qytetarët përmes rritjes së çmimit të rrymës, por ta zbusë goditjen ekonomike përmes mbështetjes direkte.

Ai ka theksuar se ka mjete në buxhet dhe me këtë ndërhyrje mund të ruhet stabiliteti ekonomik, të mbrohen bizneset dhe të mos rëndohet më tej qytetari.

‘’ Ne i propozojmë kryeministrit në detyrë që ta subvencionojë me 50 milionë, 15 milionë për ndërmarrjet publike , 35 milionë për sektorin privat dhe ne i themi Kurtit qytetarëve mos ua rrit rrymën por subvencionoji me 50 milionëe sepse ka para në buxhet, me këto para e shpëton ekonominë qytetarin e biznesin’’, përfundoi Rafuna.

 

Shahini: Vazhdojmë me protesta!

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka deklaruar se kalimi në tregun e lirë për bizneset  do të ketë pasoja të rënda për sektorin privat dhe konsumatorët.

Sipas tij, rreth 1300 kompani do të detyrohen të bëjnë investime të konsiderueshme në infrastrukturën fizike të nevojshme për të funksionuar në tregun e lirë, me një kosto të përgjithshme që kap vlerën e 50 milionë eurove. Këto kosto, në fund, do të reflektohen në çmimet për konsumatorin, duke rritur barrën financiare për qytetarët dhe duke kontribuar në rritjen e varfërisë.

‘’Bizneset rrezikohen nga tregu i hapur sepse rriten shpenzimet e infrastrukturës fizike për  të gjitha 1300 kompanitë rreth 50 milionë euro dhe këto para shtesë këto detyrohen të faturohen tek konsumatori  dhe konsumatori varfërohet edhe më shumë’’, tha Shahini.

Shahini ka theksuar se qëllimi i protestës së 29 majit nuk është vetëm mbrojtja e interesave të bizneseve, por edhe e qytetarëve, të cilët do të jenë përfundimisht ata që do të paguajnë faturën e kësaj reforme.

‘’Ne e bëmë këtë protestë për të mbrojtur bizneset por edhe konsumatorin’’, u shpreh ai.

Ai ka vënë në pikëpyetje edhe pavarësinë e ZRRE-së, duke argumentuar se deklaratat e qeverisë – e cila e ka përjashtuar mundësinë e tërheqjes së vendimit tregojnë se rregullatori është nën ndikim politik. Në këtë kuptim, vendimmarrja e ZRRE-së duket e koordinuar me linjën politike të ekzekutivit, çka bie ndesh me rolin e tij si institucion i pavarur.

Shahini ka paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.

‘’Ne do të vazhdojmë me protesta besoj javën e ardhshme’’, përfundoi ai.

 

Ish-ministri i ekonomisë: Qeveria po mundohet të bëj sistem ekonomik si në komunizëm

Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, është deklaruar  ndaj vendimit të ZRrE për tregun e lirë  duke e cilësuar vendimin si të pamatur, të padrejtë dhe të dëmshëm për bizneset dhe për ekonominë në tërësi.

‘’Vendimi për kalim në treg të lirë është shumë vendim i pa matur i padrejtë e i dëmshëm’’, tha Shatri.

Sipas tij, energjia elektrike përbën deri në 30% të shpenzimeve të prodhimit për shumë kompani, dhe çdo rritje e çmimit do të përkeqësojë ndjeshëm konkurrueshmërinë e tyre, duke i vënë në pozitë të pabarabartë në treg.

Shumë nga këto biznese, sipas tij, do të përballen me falimentim apo me nevojën për të shkurtuar vendet e punës, si mënyrë për të mbijetuar.

‘’Kategoria e energjisë si pjesë e procesit të prodhimit e shërbimeve shkon deri në 30% shpenzimeve të prodhimit kur kjo shtrenjtohet këto kompani i nxjerrë në pozitë të pa favorshme e konkurruese në treg, këto duhet ose të falimentojnë ose ti largojnë punëtorët nga puna në mënyrë që të mos shkatërrohen’’, deklaroi Shatri.

Shatri e sheh këtë reformë si pjesë të një agjende politike të qeverisë aktuale, të cilën ai e akuzon për qasje ideologjike ndaj ekonomisë së tregut dhe një përpjekje për ta centralizuar kontrollin ekonomik nën maskën e barazisë sociale.

‘’ Kjo është bërë për qëllime politike, mendoj që qeveria Kurti në sy të mirë bizneset dhe prandaj dëshiron të bëjë një sistem ekonomik sikur në komunizëm, mos të ketë njerëz të pavarur të jenë të gjithë të barabartë në varfëri dhe duhet ti shkatërrojë sepse i  konsideron armiq’’, theksoi ai.

Për më tepër, ai ngre dyshime  mbi motivet e këtij tranzicioni, duke sugjeruar se qeveria dhe ZRRE po krijojnë kushte të favorshme për kompani të lidhura me pushtetin që përfitojnë nga importi i energjisë.

‘’Kjo qeveri  përmes ZRrE u bën presion me çmim të rrymës në anën tjetër kompanitë e lidhura me të përfitojnë nga importi I rrymës dhe dëmet janë të shumëfishta’’, përfundoi Shatri.

 

Mulaj: Dalja në treg të lirë mund t’i nxjerrë bizneset jashtë tregut

Ismet Mulaj, njohës i ekonomisë dhe energjetikës, e cilëson vendimin  për të dalë në treg të lirë si të nxituar dhe të pakoordinuar me realitetin e tregut. Ai vlerëson se kalimi i bizneseve të mëdha në tregun e lirë është bërë mbi bazën e një marrëveshjeje paraprake mes ZRRE-së dhe Qeverisë, pa u siguruar më parë se tregu është funksional dhe konkurrues.

‘’ Si duket ZREE dhe qeveria e Kosovës kanë pasur një marrëveshje paraprake që t’i nxjerrin më 1 qershor bizneset e mëdha në treg të lirë dhe natyrisht sipas meje tregu nuk është i përgatitur për daljen e bizneseve të mëdha në treg’’, tha Mulaj.

Sipas tij, aktualisht ekziston vetëm një operator që ofron energji për këto biznese, me çmime shumë më të larta se sa ishin më parë. Ai thekson se kjo nuk është treg i lirë, por monopoli i një ofruesi të vetëm, që e ka edhe shërbimin universal.

‘’Deri tash është veç një operator edhe ai me çmim shumë të lartë .Tregu i lirë nënkupton çmime konkurruese që janë në harmoni me tregun e jo kur vetëm një operator ofron ato oferta dhe ai e ka monopolin e shërbimit universal’’, deklaroi ai.

Rritja e çmimit deri në 250%, sipas Mulajt, do të reflektohet në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në treg, duke e dëmtuar drejtpërdrejt konsumatorin dhe duke nxjerrë shumë biznese nga tregu, sidomos ato që kanë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk mund të përballojnë rritjen e kostove.

‘’Rritja e çmimit për rreth 250% nënkupton edhe rritjen e produkteve edhe shërbimeve, realisht këto biznese mund t’i nxjerrë jashtë tregut për shkak se rrit në mënyrë të shpejt çmimet e tyre dhe i ka zënë pa përgatite sidomos ato që kanë marrëveshje me distributor evropian e rajonal’’, përfundoi Mulaj.