BE: Tronditëse pamjet nga funerali i Mlladiqit në Beograd

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë dënuar glorifikimin dhe respektin që zyrtarë serbë i kanë bërë kriminelit të dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiq, gjatë ceremonisë së varrimit të tij në Beograd.
Costa dhe von der Leyen kanë publikuar të hënën një deklaratë të përbashkët në rrjetin social X, duke e cilësuar si “tronditëse” atë që është parë në funeralin e Mlladiqit.
“Imazhet nga funerali i Ratko Mlladiq dje në Beograd ishin tronditëse.
“Ratko Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime të tjera”, thuhet në reagim.
Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral janë thellësisht për të ardhur keq, konsiderojnë ata.
“Ato tregojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët në historinë e kohëve të fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat që mbështesin rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Mendimet tona janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, zëdhënësja kryesore e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Paula Pinho, është shprehur lidhur me pamjet nga ceremonia e varrimit.
“Pas informimit tonë të mesditës dje, imazhet nga funerali folën më shumë se një milion fjalë”, ka thënë ajo.
The post BE: Tronditëse pamjet nga funerali i Mlladiqit në Beograd appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



