Trump njofton se SHBA do të dërgojë 5 mijë trupa në Poloni

Trump njofton se SHBA do të dërgojë 5 mijë trupa në Poloni

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 5 mijë trupa shtesë në Poloni, vetëm një javë pasi Pentagoni anuloi një dislokim të planifikuar prej 4 mijë trupash në këtë vend. Trumpi e bëri njoftimin përmes rrjetit social Truth Social.

“Bazuar në zgjedhjen e suksesshme të presidentit tashmë të Polonisë, Karol Nawrocki, të cilin pata krenarinë ta mbështes, dhe marrëdhënien tonë me të, kam kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 5 mijë trupa shtesë në Poloni”.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, mirëpriti të premten vendimin e presidentit amerikan për të dërguar edhe 5 mijë trupa amerikane në Poloni, raporton AP.

“Kam edhe një arsye më shumë për të qenë optimist këtë mëngjes. Dua ta falënderoj Presidentin Trump për njoftimin se rotacioni dhe prania e trupave amerikane në Poloni do të vazhdojnë pak a shumë në nivelet e mëparshme. Dua ta falënderoj presidentin dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë vendim, miqtë tanë në Kongres, ambasadorët Whitaker dhe Rose në NATO dhe në Poloni, si dhe të gjithë zyrtarët polakë që kontribuuan. Mendoj se edhe reputacioni i Polonisë si një vend që e merr seriozisht mbrojtjen ka ndihmuar”, tha Sikorski.

E sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, e mirëpriti këtë vendim para një takimi të ministrave të jashtëm në Suedi, duke shtuar se prirja që Evropa të bëhet më pak e varur nga SHBA-ja “do të vazhdojë”.

Njoftimi i ri i  Trumpit ka shtuar pasigurinë tek aleatët evropianë, të cilët janë përballur me ndryshime të papritura të politikës amerikane. Administrata amerikane ka kritikuar vazhdimisht vendet anëtare të NATO-s për shpenzimet e pamjaftueshme në mbrojtje dhe për mungesën e mbështetjes më të madhe ndaj luftës që përfshin Iranin.


Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.