U raportua se u përjashtua nga QNR-ja në Ferizaj, flet komisionerja e LDK-së – mohon akuzat
Në Ferizaj sot është raportuar për largimin e një komisionereje të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Qendra e Numërimit e Rezultateve në palestrën “Bill Clinton”, për shkak të përdorimit të një stilolapsi tjetër nga ai që duhej të përdorej. Lidhur me rastin, Klankosova.tv ka kontaktuar

Në Ferizaj sot është raportuar për largimin e një komisionereje të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Qendra e Numërimit e Rezultateve në palestrën “Bill Clinton”, për shkak të përdorimit të një stilolapsi tjetër nga ai që duhej të përdorej.
Lidhur me rastin, Klankosova.tv ka kontaktuar Shaban Rexhën, kryesuesin e Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Ferizajt, i cili ka thënë se komisionerja, Egzona Hyseni është larguar, dhe është bërë zëvendësimi.
“Këto janë rregullat e KQZ-së nuk tolerohen, është bërë zëvendësimi i saj, është larguar, për shkak ankesës së komisionarëve. Është e ndaluar në tavolinë të përdoret laps tjetër me ngjyrë tjetër, të gjithë kanë qenë të lajmëruar se nuk mund t’i kenë as me vete stilolapsat e tjerë”, ka thënë Rexha.
Për të njëjtën çështje, Klankosova.tv ka kontaktuar vetë komisioneren, Egzona Hyseni, e cila i ka mohuar të gjitha akuzat e thëna më lart nga KQZ-ja, por edhe raportimeve për arrestimin e saj.
“Lidhur me akuzat e bëra ndaj meje, dua të sqaroj se lajmet që pretendojnë se jam arrestuar nuk janë të vërteta. Informacioni i përhapur në disa portale dhe media është i pabazë dhe i pasaktë”.
“Situata ka lindur nga një keqkuptim në sallë, i cili më pas është keqinterpretuar dhe shtrembëruar nga persona të caktuar. Dua të theksoj se nuk është gjetur asnjë stilolaps as në dorën time dhe as në tavolinë, prandaj pretendimet në këtë drejtim janë të pavërteta”, ka thënë Hyseni për Klankosova.tv.
Krejt ngjarjen ajo e përshkroi si një skenar të pavërtetë, si dhe shtoi se ishte larguar nga vendi i votimit vet ajo.
“Gjithashtu, konfirmoj se nuk jam as e akuzuar dhe as e arrestuar. Mund të kontaktoni organet kompetente për të marrë informacion zyrtar mbi këtë çështje. Unë jam larguar nga vendi i votimit pa ndonjë ndërhyrje nga Policia”.
“Gjithçka që është raportuar më pas nuk është gjë tjetër veçse një skenar i fabrikuar nga individë të caktuar, të cilët kanë shfrytëzuar situatën për të krijuar lajme të pavërteta”, ka pohuar Hyseni për Klankosova.tv.
Egzona, është e bija e Bahrije Hysenit, kandidates së LDK-së për deputete. E njëjta për Klankosova.tv ka theksuar se i gjithë rasti nuk ka pasur ndonjë tendencë apo qëllim për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor.
“Dëshiroj të sqaroj se vajza ime nuk është arrestuar—ajo ndodhet në shtëpi. Lajmet që keni marrë janë thjesht propagandë dhe nuk kanë asnjë bazë të vërtetë”, ka thënë nëna e Egzonës, Bahrija.
“Gjithashtu, dua të theksoj se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për ndryshimin e ndonjë rezultati”, ka thënë më tej ajo.
Numrimi i votave në Ferizaj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me 13 shkurt, bashkë me komunat e tjera si Suhareka, Vushtrria, Kaçaniku, Novobërda, Prizreni, Shtimja dhe Juniku./Klankosova.tv