Vazhdon me sukses mësimi në Shkollën Shqipe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut

Në këtë vit shkollor, pika e Shkollës Shqipe në Küsnacht është riorganizuar dhe mësimin e zhvillon mësuesja Drita Iseni, e cila me përkushtim ka marrë përsipër këtë detyrë të rëndësishme. Fotografitë nga klasa dëshmojnë më së miri atmosferën e ngrohtë dhe gëzimin e fëmijëve që janë bashkuar rreth gjuhës së prindërve dhe të të parëve të tyre.
Riorganizimi i kësaj pike shkollore është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe i bashkëpunimit të ngushtë me prindërit shqiptarë të Küsnachtit dhe rrethinës. Një kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë Dr. Vaxhid Sejdiu, koordinator për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, i cili, së bashku me prindërit, është angazhuar që mësimi shqip në këtë komunë të vazhdojë dhe pika shkollore të riorganizohet.
Për të satën herë, falë bashkëpunimit dhe këmbënguljes së përbashkët, arrihet që flamuri i gjuhës shqipe të ngrihet përsëri, duke u dhënë fëmijëve shqiptarë mundësinë që, krahas shkollimit të tyre të rregullt në Zvicër, të mësojnë edhe gjuhën amtare, historinë, kulturën dhe traditat shqiptare.
Gjuha shqipe – urë ndërmjet brezave
Mësimi plotësues në gjuhën shqipe ka një rëndësi të veçantë për fëmijët që lindin dhe rriten larg trojeve shqiptare. Në klasën shqipe ata nuk mësojnë vetëm të lexojnë dhe të shkruajnë shqip. Ata njihen më thellë me kulturën, historinë dhe trashëgiminë e tyre dhe, njëkohësisht, krijojnë lidhje me bashkëmoshatarët shqiptarë.
Fëmijët e mbledhur në klasë pranë mësueses së tyre përcjellin një mesazh të qartë: gjuha shqipe jeton aty ku ka fëmijë që e mësojnë, prindër që e mbështesin dhe mësues që e përcjellin me dashuri.
Dyert mbeten të hapura për nxënës të rinj
Riorganizimi i pikës së Küsnachtit është njëkohësisht edhe një thirrje për familjet shqiptare të Küsnachtit dhe të rrethinës: regjistrojini fëmijët tuaj në Shkollën Shqipe! Çdo nxënës i ri e forcon klasën dhe krijon më shumë siguri për vazhdimësinë e mësimit shqip.
Sepse çdo fëmijë që mëson të lexojë, të shkruajë dhe të komunikojë bukur në shqip është një urë më shumë ndërmjet vendit ku jeton dhe rrënjëve prej nga vjen.
Aty ku mësohet shqip, aty jeton edhe një pjesë e atdheut.
The post Vazhdon me sukses mësimi në Shkollën Shqipe në Küsnacht të Kantonit të Cyrihut appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



