Vetëvendosje zyrtarizon Kadri Rahimajn për një mandat të dytë në Dardanë

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar zyrtarisht nominimin e kryetarit aktual të komunës së Dardanës, Kadri Rahimaj, për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale të ardhshme. Vendimi u mor gjatë një takimi të mbajtur nga kryesia e qendrës së LVV-së në këtë komunë, në prani të liderit të kësaj partie, njëherësh kryeministrit në detyrë Albin Kurti

Vetëvendosje zyrtarizon Kadri Rahimajn për një mandat të dytë në Dardanë

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar zyrtarisht nominimin e kryetarit aktual të komunës së Dardanës, Kadri Rahimaj, për një mandat të dytë në zgjedhjet lokale të ardhshme.

Vendimi u mor gjatë një takimi të mbajtur nga kryesia e qendrës së LVV-së në këtë komunë, në prani të liderit të kësaj partie, njëherësh kryeministrit në detyrë Albin Kurti si dhe strukturave tjera organizative të kësaj force politike.

“Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën e ia japim mbështetjen e parezervë!”, thuhet në njoftimin e LVV-së nga ky takim.

Vetëvendosje e vlerëson mandatin e parë të Rahimajt si një periudhë të qeverisjes së mirë dhe investimeve konkrete në të gjitha drejtimet, duke përfshirë arsimin, infrastrukturën, shëndetësinë dhe sportin.

Në mesin e projekteve të përmendura janë ndërtimi i dy çerdheve të reja, kujdesi për ushqimin dhe shëndetin e nxënësve, ndërtimi i stadiumit të parë të atletikës në vend dhe i stadiumit të Kikës, asfaltimi i rrugëve fshatrave dhe në lagje, si dhe projekti madhor për asfaltimin e brezit kufitar 50.4 km. Një theks i veçantë iu kushtua edhe investimeve në ujësjellës, me gjashtë fshatra të kyçura tashmë në rrjetin e ujit të pijshëm dhe ndërtimin në vazhdim të ujësjellësit në Karaqevë.

“Këto e shumë punë të tjera, nën qeverisjen e shkëlqyeshme të kryetarit Rahimaj dhe ekipit të tij dhe mbështetja e nivelit qendror janë tregues të qartë që Dardanës i duhet Lëvizja sepse i duhet vizioni i saj që për bazë ka qytetarin dhe taksat e tyre i kthen në investime për mirëqenie e për zhvillim. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Dardanë e kudo në Kosovë me strukturat e saj organizative ka filluar punën pandalshëm për fitoret tona në komuna, që i duhen Republikës e u duhen qytetarëve, i duhen fshatrave e lagjeve të qyteteve, gjithandej vendit. Është dëshmuar që modeli qeverisës lokal i udhëhequr nga LVV, sikurse në rastin e komunës së Dardanës, është më i duhuri. Prandaj, vazhdojmë fuqishëm përpara”, thuhet në njoftim.