VV-ja përmend disa suksese, por harron shumë dështime

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka prezantuar një video përmbledhëse që përmbledh arritjet dhe sukseset e mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti. Ky mandat është i pari në historinë e Kosovës që ka realizuar një periudhë të plotë qeverisjeje, shkruan FrontOnline. Në këtë video, Lëvizja Vetëvendosje përmend kryesisht tri fusha kyçe të veprimtarisë së qeverisë: luftimin e korrupsionit

VV-ja përmend disa suksese, por harron shumë dështime

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka prezantuar një video përmbledhëse që përmbledh arritjet dhe sukseset e mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti. Ky mandat është i pari në historinë e Kosovës që ka realizuar një periudhë të plotë qeverisjeje, shkruan FrontOnline.

Në këtë video, Lëvizja Vetëvendosje përmend kryesisht tri fusha kyçe të veprimtarisë së qeverisë: luftimin e korrupsionit, arritjen e lëvizjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe forcimin e sovranitetit të shtetit në veri. Përmes këtyre përpjekjeve, sipas tyre Kosova është paraqitur si një shtet më i sigurt, më i fuqishëm dhe më i zhvilluar, duke sjellë rend dhe ligj në çdo cep të vendit.

Ata thonë se ky katërvjeçar ka qenë një periudhë e mbushur me përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm në vend.

Nga VV potencojnë se zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, të cilat e konfirmuan besimin e qytetarëve në këtë qeverisje, janë një dëshmi e qartë e suksesit të deritanishëm. Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë ka fituar 48 ulëse në Kuvend, shpreh besimin se ky proces i zhvillimit dhe stabilitetit do të vijojë, pavarësisht rrethanave globale të vështira.

Por ndryshe nga video dhe ndryshe nga deklarata e VV-së, mendojnë oponentët politikë, njohësit e sferave të ndryshme në vend.

 

Kadrijaj e AAK-së: VV me propagandë e nisi e me të po vazhdon, ndonëse i solli sanksione vendit

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, për FrontOnline, ka folur pas publikimit të videos nga VV.

Ajo thotë se qeverisë në detyrë vetëm propaganda u ka mbetur.

‘’Kësaj qevere në detyrë veç propagandat iu kanë mbetur’’ thotë ajo.

E madje sipas saj, ata përsëri me propagandë po vazhdojnë.

‘’Dhe papë me propagandë po vazhdojnë’’ shtoi Kadrijaj.

Deputetja e AAK-së deklaron se kjo Qeveri i ka sjellë vetëm sanksionime vendit dhe asnjë përparim në sferën ndërkombëtare.

‘’Qeveria qe i ka sjell sanksione vendit, as një njohje e as anëtarësim ne organizata ndërkombëtare, përformancën më të keqe për gjatë gjithë qeverisjes’’ përfundoi ajo.

 

Arifi për videon e VV-së: Tallje me qytetarin, videoja mesazh për analfabetët

Analisti politik, Avni Arifi, për FrontOnline e konsideron tallje me qytetarin publikimin e videos nga partia në pushtet e ku paraqitet puna e saj katër vjeçare.

‘’Tallje me qytetarin, ndërtim i vazhdueshëm i politikes së bazuar ne mashtrim’’ shprehet ai.

Sipas Arifit, kjo video është mesazh dërguar dhe target për qytetarin e pa shkollë.

‘’Mesazh i targetuar për qytetarin e pashkollë të padijshëm dhe analfabet’’, thotë ai.

Arifi, potencon se vetëm kjo kategori po i beson VV-së.

‘’Vetëm ketë kategori ka kohe që e ushqen LVV por si duket ka shumë të tillë sepse plotë e besojnë’’ deklaroi Arifi.

 

Dedaj: VV-ja vetëm se e sofistikoi korrupsionin dhe solli sanksione ndërkombëtare për Kosovën

Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, për FrontOnline thotë se VV ka bërë vetëm propagandë, siç thotë ai, “enversite” lidhur me veriun e Kosovës.

‘’Tashmë nuk është asgjë e re kur themi se pushteti në ikje dhe LVV, gjatë këtyre dy mandateve bëri vetëm propagande enveriste me veriun, gënjeshtra për “analfabetët funksional”, mashtrime të opinionit dhe dështim total të qeverisjes’’, tha ai.

Sipas tij, ky pushtet nuk ka bërë asgjë për diplomaci, duke mos sjellur asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim ndërkombëtar.

‘’Këta vetëm e sofistikun korrupsionin, për vizat nuk kanë asnjë kontribut,siç nuk sollen asnjë njohje, asnjë antarësim dhe mund të mburren vetëm se Kosova fitoj sanksionet dhe izolimin nderkombëtar, zbrazjen masive dhe shkallen me të lartë të varfërisë. Po ashtu ish kryeministri Kurti nuk perfilli sundimin e ligjit duke dalur mbi ligjin si diktator, mbi Gjykatat dhe mbi Prokurorinë e Republikës së Kosovës’’ tha ai.

Dedaj, deklaron se madje edhe pensionet janë fyese dhe lëmoshë për qytetarët.

‘’Pensionet në Kosovë janë fyese dhe lëmoshë për barna, çmimet janë ngritur si kurrë më parë dhe shteti është para falimentimit. Ne diplomaci kanë bërë dëme të pariparueshme, duke rrezikuar partneritetin me SHBA,BE dhe NATO-n, si asnjëherë më parë, i kanë dyert e mbyllura në Uashington, Bruksel, Strasburg dhe gjithandej në qendrat e vendosje’’ tha ai..

 

Shala për videon e VV-së: Ky vit, i pasigurt në aspektin gjeopolitik

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, theksoi se veprimet politike të ndërmarra janë të lejuara dhe mund të sjellin suksese, edhe në mungesë të mundësisë për ndërhyrje direkte, siç është rasti me procesin e vizave.

Ai shtoi se, në aspektin profesional, do të duhet të priten vlerësimet e raporteve të progresit për të kuptuar se sa realiste janë këto veprime.

Në fushën e sigurisë, Shala paralajmëroi për një gjendje të pasigurt gjeopolitike, duke theksuar se veprimet e ardhshme duhet të monitorohen me kujdes pas vitit 2025, për të parë se çfarë destinacioni po ndjekin këto politika.

 

Hamiti i LDK-së: Dështim spektakolar i VV-së në të gjitha aspektet

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se votat që VV-ja i ka marrë më 9 shkurt nuk janë të merituara.

Ai ka vlerësuar se duan shqyrtim serioz arsyet pse ka marrë votën popullore Qeveria Kurti.Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka përmendur dështimet e Qeverisë Kurti në këtë mandat.

“Rezultatet e zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit dëshmojnë se një Qeveri e dështuar, si kjo e Vetëvendosjes, mund të marrë votë të pamerituar. Për katër vjet të Vetëvevendosjes me satelitët në pushtet, Kosova nuk e ka marrë asnjë njohje të vetme ndërkombëtare, asnjë anëtarësim në organizata relevante ndërkombëtare. Dështim spektakular, fiasko, ka qenë përpjekja për anëtarësim në Këshillin e Evropës vitin e kaluar. Me Albin Kurtin kryeministër, Kosova ka bërë marrëveshjet më të dëmshme në procesin e dialogut me Serbinë në vitin 2023. Për pasojë, Kosovës i rri mbi krye si shpata e Demokleut autonomia politike-territoriale për serbët, që e rrezikon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hamiti, duke përmendur dështimet tjera të Qeverisë Kurti.

“Kosova është nën sanksione të BE-së prej qershorit të vitit 2023. Qindra milionë euro të humbura deri tani. Po ashtu, reputacioni ndërkombëtar i dëmtuar i Kosovës, si vend evropian i sanksionuar për fajin e Qeverisë së vet. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të, aleatin tonë jetik, janë në pikën më të ulët në këto vjet. Korrupsioni i rëndë qeveritar e kakarakterizuar qeverisjen e VV-së, ndërkohë që propaganda e saj kumbuese ka qenë se gjoja po e lufton korrupsionin. Duan shqyrtim serioz arsyet pse ka marrë votë popullore Qeveria e dështuar e Vetëvendosjes”, ka shkruar ai.