“Whistler” i Ann Patchett, një libër për ditët me shi

Disa nga kujtimet më të bukura lindin në ato çaste kur ulemi me njerëzit e zemrës dhe i kthehemi së shkuarës. Kujtimet e mira na bëjnë të qeshim dhe të rëndat, kur më në fund i themi me zë, duket sikur humbin diçka nga pesha e tyre dhe ne lehtësohemi.
Libri i ri i Ann Patchett, “Whistler”, është pikërisht një libër i tillë: flet për marrëdhëniet dhe dinamikat njerëzore sikur ato të ishin gjëja më e thjeshtë në botë, me një rrjedhshmëri të rrallë dhe një forcë tërheqëse që të mban aty, rresht pas rreshti. Shkrimtarja shpesh na sjell personazhe dhe histori që duken çuditërisht familjare, jetë që, në një formë apo tjetër, mund të kishin qenë edhe tonat.
Ngjarja duket sikur nis me nuancat e një thriller-i. Daphne dhe burri i saj, Calvin Fuller, po kalojnë kohë në Metropolitan Museum of Art në New York, kur Calvin fillon të ketë ndjesinë se një i panjohur po i ndjek nëpër dhomat e ndryshme të muzeut. Daphne në fillim e shpërfill dyshimin e tij, por shumë shpejt edhe ajo vëren se dikush vërtet po i vëzhgon. Nuk kalon shumë dhe zbulojmë se i panjohuri, që i vështron me kureshtje nga larg, është Eddie Triplett, ish-njerku i Daphne-s.
Daphne nuk e kishte parë Eddie-n, burrin e dytë të nënës së saj dhe njerkun që kishte dashur më shumë se çdo tjetër, prej më shumë se dyzet vjetësh, që nga koha kur ishte vetëm nëntë vjeçe. Pas këtij takimi krejtësisht të rastësishëm, nostalgjik dhe jashtëzakonisht të këndshëm për të dy, romani zbutet dhe merr një ritëm më të qetë.
Për Eddie-n, Daphne është fëmija që ai nuk e pati kurrë biologjikisht. Kjo afërsi përcillet natyrshëm edhe te lexuesi. Takimi i tyre i hap një derë drejt së kaluarës, e cila kishte mbetur e mbyllur për vite. Prej aty, libri rrjedh përmes bisedave të bukura, kryesisht mes tyre të dyve, por edhe përmes rrëfimeve të familjarëve të tjerë.
Ai është një redaktor letrar në Manhattan që refuzon të pensionohet. Daphne, ndërkaq, u mëson adoleshentëve letërsinë klasike dhe flet me kënaqësi për shkrimtarë si Jane Austen. Dashuria e përbashkët për librat dhe leximin bën që afërsia mes tyre të rikthehet pothuajse menjëherë.
Në të shkuarën, lidhja mes Daphne-s dhe Eddie-t ishte thelluar edhe më shumë nga një aksident që kishin përjetuar së bashku kur ajo ishte vetëm nëntë vjeçe. Të dy i shpëtuan aksidentit, por jo edhe martesa e Eddie-t me nënën e saj, Abigail, e cila kërkoi divorcin menjëherë pas kësaj ngjarjeje.
Për një fëmijë, ngjarjet që ndodhin pranë njëra-tjetrës shpesh lidhen mes tyre edhe kur, në të vërtetë, nuk kanë asnjë lidhje. Daphne kalon pastaj vite duke mbajtur brenda vetes një ndjenjë faji, e bindur se aksidenti kishte qenë shkaku i ndarjes.
Është ai lloj faji që shumë prej nesh e njohim: një faj që e marrim mbi vete në fëmijëri, pa qenë realisht përgjegjës për të, dhe pastaj jetojmë me të për vite të tëra. Katër dekada më vonë ajo mëson të vërtetën: një sekret që nuk i kishte shkuar kurrë ndër mend dhe që, në fund, nuk kishte pasur aspak të bënte me të.
Ata vazhdojnë të flasin për jetët e tyre: ku kanë jetuar, me kë janë martuar, kë kanë dashur dhe çfarë kanë humbur gjatë rrugës. Në një moment Abigail thotë: “Është punë e tmerrshme kjo, të duash një njeri tjetër” (“It’s an awful business, loving another person”). Dhe ndoshta pikërisht kjo është një nga idetë më të bukura të romanit: sa e ndërlikuar, e dhimbshme dhe, njëkohësisht, e domosdoshme është të duash dikë, në një mënyrë apo tjetër.
“Whistler” është një libër për njerëzit që kemi dashur, për lidhjet familjare dhe, mbi të gjitha, për afërsinë e veçantë që mund të krijohet mes një prindi dhe një fëmije edhe kur nuk i lidh gjaku. Është një libër për versionet e vetes që kemi lënë pas dhe për kujtimet që besojmë se i kemi fshehur aq mirë, sa nuk do të na gjejnë më.
Një libër që na kthen te njerëzit që koha i ka larguar, por jo zhdukur.
Pritë Bytyçi
The post “Whistler” i Ann Patchett, një libër për ditët me shi appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



