Pascal Schürpf: Xherdan Shaqiri mbetet lojtari më i mirë i Superligës zvicerane

Pascal Schürpf: Xherdan Shaqiri mbetet lojtari më i mirë i Superligës zvicerane

E ardhmja e Xherdan Shaqirit te FC Baseli mbetet ende e hapur, ndërsa kontrata e futbollistit shqiptar me klubin zviceran skadon në verën e vitit 2027, transmeton albinfo.ch.

Për vazhdimin e karrierës së tij në Basel ka folur edhe ish-sulmuesi i Superligës zvicerane, Pascal Schürpf, i cili ka shprehur vlerësim të lartë për cilësitë e futbollistit me prejardhje shqiptare.

Në një prononcim përmes podcastit “FORZA” të “Blick”, Schürpf ka deklaruar se Shaqiri mbetet, sipas tij, lojtari më i mirë i ligës.

“Kur i shikoj ndeshjet e tij, shpesh mendoj: unë, si sulmues, do të isha shumë i lumtur sikur ta kisha në skuadër një Shaqiri, i cili jep pasime të tilla”, është shprehur Schürpf.

Megjithatë, ai ka theksuar se për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e Shaqirit, nevojiten edhe futbollistë që kuptojnë idetë e tij dhe arrijnë t’i konkretizojnë pasimet që ai krijon.

Sipas Schürpf, Shaqirit aktualisht i mungojnë bashkëlojtarët që mund t’i shfrytëzojnë rastet e krijuara prej tij.

“Edhe ai ka nevojë për lojtarë përreth vetes, të cilët i kuptojnë idetë e tij dhe mund t’i shfrytëzojnë pasimet. Ajo që i mungon aktualisht janë lojtarët që përfundojnë aksionet. Nëse i ka ata dhe trajneri arrin që bashkëlojtarët të luajnë për të, atëherë unë do t’ia vazhdoja kontratën”, ka deklaruar Schürpf.

Xherdan Shaqiri, 35-vjeçar, është një prej futbollistëve më të njohur shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Rikthimi i tij te FC Baseli ka sjellë pritshmëri të mëdha, ndërsa e ardhmja e tij në klub mbetet një çështje që do të marrë përgjigje në periudhën në vazhdim.

Vlerësimi i Schürpfit rikthen në vëmendje rëndësinë e Shaqirit në lojën e Baselit dhe dilemat rreth vazhdimit të bashkëpunimit mes palëve. /Albinfo.ch

The post Pascal Schürpf: Xherdan Shaqiri mbetet lojtari më i mirë i Superligës zvicerane appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.