Xhelal Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Xhelal Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.

Sveçla u shpall fajtor për veprën penale „Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm“, ndërsa për veprën „Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare“ gjykata mori aktgjykim refuzues, pasi ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Shkalla e dënimit ndaj Sveçlës do të bëhet e ditur më 8 shtator, kur është caktuar seanca ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Sveçla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme.

Prokuroria gjatë procesit ka paraqitur prova, përfshirë një incizim ku shihet Sveçla duke aktivizuar dhe hedhur një bombolë me gaz lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.

Mbrojtja e ka kundërshtuar vendimin. Avokati i Sveçlës, Laur Prenaj, tha se do të ushtrojë ankesë pasi të pranojë vendimin e arsyetuar të gjykatës.

Rasti lidhet me protestat e vitit 2018, kur deputetë të Vetëvendosjes dhe opozitës së atëhershme përdorën gaz lotsjellës në Kuvend, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Për veprën penale „Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm“, Kodi Penal parasheh dënim me burgim prej një deri në tetë vjet, ndërsa në rast të përdorimit kërcënues ose frikësues, dënimi mund të jetë deri në 10 vjet burgim dhe gjobë deri në 10 mijë euro.

Javën e kaluar, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, u shpall i pafajshëm në një rast të ngjashëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.