Kica-Xhelili: Vota ime do të jetë për Bekim Sejdiun nëse dakordohet grupi parlamentar

Kica-Xhelili: Vota ime do të jetë për Bekim Sejdiun nëse dakordohet grupi parlamentar

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka folur sot për media para se të hyj në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDKsë.

Për kandidatin për të cilin janë marrë vesh LDK dhe VV, Bekim Sejdiun, Kica-Xhelili ka thënë se e njeh shumë më parë.

“Unë qëllimisht ende nuk jam deklaruar, meqë kam një prapavijë, le të themi, pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin e saj negativ, natyrisht, sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate dhe asokohe natyrisht që kemi pasur lëndë të cilat kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe njerëzit e profesionit e kuptojnë që, pavarësisht që respektohen të gjitha vendimet e gjykatave në Kosovë, janë disa vendime që ne zakonisht i cilësojmë si pak më cilësore se të tjerat, në kuptimin se si ato analizohen dhe shkruhen”, tha ajo.

Duke u bazuar në njohjen e saj për të, ajo ka thënë se Sejdiu në kuptimin profesional i përmbush të gjitha kushtet që të mbështetet.

“Rrjedhimisht, unë jam pak subjektive, nëse mund të them ashtu, kur vjen puna tek vlerësimi i kësaj kandidature, sepse zotëri Sejdiun e njoh në aspektin profesional shumë më gjatë sesa tani që u shpërfaq si një emër i cili po propozohet nga dy parti politike. Rrjedhimisht, duke qenë që unë mendoja që, le të thoshim, kontributin tim ta bëj në atë aspekt profesional, meqë mendoj që disa nga ne duhet të fokusohemi në atë që ne mendojmë që e njohim më mirë, zotëri Sejdiu, sa i përket kësaj në kuptimin profesional, i përmbush të gjitha kushtet që të mbështetet”, u shpreh Kica-Xhelili.

Për votën e saj, Kica Xhelili ka thënë se do të jetë për në rast se dakordohet grupi parlamentar.

“Tani se si do të arrijmë apo a do të arrijmë që ta arrijmë një konsensus politik, sepse ju e dini që në fund të ditës vota duhet të jetë unanime në rastin konkret nëse ne me të vërtetë prodhojmë një president të Republikës së Kosovës, vlerësoj që kemi shkaqe që ta shtyjmë përpara këtë kandidaturë. Vota ime në parim do të jetë ‘për’, në qoftë se dakordohet edhe grupi parlamentar, sepse, të them të drejtën, në kuptimin personal si do të jetë, nuk kam shumë vështirësi të gjej arsye të mos e votoj, të paktën parimisht. Kështu që mendimi im është ky dhe me shumë gjasa kjo do të jetë natyrisht nëse kemi konsensus si grup parlamentar, sepse ju e dini që duhet të ketë edhe shumicë në vendimmarrje”, tha ajo. /Lajmi.net/

The post Kica-Xhelili: Vota ime do të jetë për Bekim Sejdiun nëse dakordohet grupi parlamentar appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.