Zbulohet paga marramendëse e Reijnders në Arabinë Saudite

Tijjani Reijnders pritet të përfitojë një shumë marramendëse nga transferimi i tij te Al-Qadsiah në Arabinë Saudite.
Sipas gazetarit Mike Verweij, mesfushori holandez do të fitojë rreth 100 milionë euro gjatë pesë viteve të kontratës me klubin saudit. Kjo i bie afërsisht 385 mijë euro në javë, një pagë që e vendos Reijndersin mes futbollistëve më të paguar në ligën saudite.
Reijnders, 28-vjeçar, do të largohet nga Manchester City vetëm një vit pas transferimit të tij nga Milani. Sipas raportimeve të fundit, City ka arritur marrëveshje me Al-Qadsiah për një shumë prej rreth 52 milionë funte, ndërsa transferimi pritet të kompletohet pas testeve mjekësore.
Sezoni i parë i holandezit në “Etihad” nuk shkoi sipas pritshmërive. Ai e nisi sezonin si titullar i rregullt, por më pas humbi vendin në formacion dhe pati vetëm pesë paraqitje si titullar në Premier League gjatë pjesës së dytë të sezonit. Në total, ai zhvilloi 50 ndeshje për Cityn, duke shënuar shtatë gola dhe dhuruar tetë asistime.
Tani, Reijnders është pranë një aventure të re në Arabinë Saudite, ku përveç transferimit të tij nga Manchester City, do të sigurojë edhe një kontratë jashtëzakonisht fitimprurëse.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



