Zëdhënësi i Iranit kritikon SHBA-në dhe Izraelin për përshkallëzim ushtarak: Administrata Trump ka “tradhtuar” diplomacinë

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi të dielën për CNN se Irani po përballet me një “tradhti të diplomacisë” nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump. “Ata nuk mund të flasin për diplomaci, e kanë tradhtuar atë,” tha Baghaei, duke theksuar megjithatë se “diplomacia nuk përfundon kurrë”. Ai paralajmëroi se ndonëse [...]Read More...

Zëdhënësi i Iranit kritikon SHBA-në dhe Izraelin për përshkallëzim ushtarak: Administrata Trump ka “tradhtuar” diplomacinë

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi të dielën për CNN se Irani po përballet me një “tradhti të diplomacisë” nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.

“Ata nuk mund të flasin për diplomaci, e kanë tradhtuar atë,” tha Baghaei, duke theksuar megjithatë se “diplomacia nuk përfundon kurrë”.

Ai paralajmëroi se ndonëse nuk dihet se çfarë do të ndodhë më tej, “është e sigurt që përgjegjësia për pasojat e këtij konflikti bie mbi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin”.

Baghaei nuk pranoi të japë detaje mbi mënyrën se si Irani mund të përgjigjet ndaj sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, të ndërmarra të dielën herët në mëngjes. Po ashtu, ai nuk specifikoi se çfarë dëmesh janë shkaktuar, por theksoi se “Irani ka të drejtën të ushtrojë vetëmbrojtjen”.

“Dhe këtë do ta bëjmë pa asnjë dyshim,” shtoi ai.

Zëdhënësi iranian i cilësoi deklaratat e fundit të presidentit Trump dhe kërcënimet për sulme të tjera si “shantazh në shkallë globale”.

Ai paralajmëroi se veprimet ushtarake të Izraelit dhe SHBA-së e kanë futur rajonin në një “situatë të pashembullt rreziku”.

Baghaei tha gjithashtu se Irani ka treguar “përmbajtje absolute” ndaj provokimeve izraelite, duke synuar vetëm objektiva ushtarake dhe të sigurisë. Ndërkohë, Izraeli ka akuzuar Iranin për sulme ndaj objektivave civile.

Ai reagoi ashpër ndaj deklaratave të zyrtarëve izraelitë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, i cili kishte deklaruar se “udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, nuk mund të vazhdojë të ekzistojë”.

“Një kërcënim i tillë ndaj një udhëheqësi sovran është një deklaratë e neveritshme dhe e papranueshme,” tha Baghaei. “Të kërcënosh liderin e një shteti me akt terrori vetëm sa tregon natyrën e vërtetë të regjimit izraelit.”

Baghaei, i cili ka shërbyer në misionin diplomatik iranian në OKB në Nju Jork gjatë viteve 2006–2010, theksoi se Irani “ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur për diplomaci dhe paqe”.

“Historia nuk do ta falë atë që po bën administrata amerikane,” përfundoi ai./abcnews.al