Zemaj: Kushtetuesja ndaloi përpjekjet për dobësimin e shëndetësisë publike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi një dispozitë të Statutit të ri të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (QKUK), të cilën ai e cilëson si përpjekje për të dobësuar shëndetësinë publike. Zemaj thotë se paaftësia dhe keqmenaxhimi”nga qeveria Kurti dhe

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi një dispozitë të Statutit të ri të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (QKUK), të cilën ai e cilëson si përpjekje për të dobësuar shëndetësinë publike.
Zemaj thotë se paaftësia dhe keqmenaxhimi”nga qeveria Kurti dhe Ministria e Shëndetësisë kanë prodhuar pasoja serioze për qytetarët.
Ai pretendon se ka pasur një tendencë të fshehur për të favorizuar sektorin privat shëndetësor në dëm të atij publik.
“Kemi parë një tendencë të mbuluar me mashtrime, e shpesh të realizuar në mënyrë perfide, për të dobësuar sektorin publik shëndetësor dhe për të forcuar interesat e sektorit privat,” shkroi Zemaj.
Ai përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese që, sipas tij, ndalon këtë praktikë përmes refuzimit të ndryshimeve të sjella nga statuti i ri i QKUK-së.
“Sot, kjo qasje u ndalua nga Gjykata Kushtetuese,” thekson Zemaj, duke shtuar se ka mbështetur kërkesën për shqyrtim kushtetues edhe përmes komenteve të dërguara si deputet dhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një ligji të ri për shëndetësinë dhe mungesën e strategjisë, duke thënë se katër vitet e fundit janë karakterizuar nga ndikimi i interesave farmaceutike dhe jo i nevojave të pacientëve.