Zhvillohet ceremonia e hapjes së ‘Taranto 2026`, Kosova me 163 sportistë

Zhvillohet ceremonia e hapjes së ‘Taranto 2026`, Kosova me 163 sportistë

Zyrtarisht ka nisur ceremonia e hapëse e Lojërave Mesdhetare ‘Taranto 2026, edicion ky i 20-ti dhe që vjen ekskluzivisht në Radio Televizionin e Kosovës.

‘Taranto 2026’ nisi sonte në stadiumin e rinovuar “Erasmo Iacovone” e që do të zgjasë deri më 3 shtator.

Në këtë edicion marrin pjesë 26 shtete, me rreth 3,800 sportistë, ndërsa garat zhvillohen në dhjetëra disiplina sportive.

Në mesin e delegacioneve pjesëmarrëse do të jetë edhe Kosova, e cila këtë herë përfaqësohet me 163 sportistë, numri më i madh në historinë e pjesëmarrjes së vendit në Lojërat Mesdhetare. Kosova do të garojë në 17 sporte individuale dhe katër sporte ekipore – futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll.

Haxhiu merr pjesë në ceremoninë e hapjes

Në Taranto ndodhet edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila po merr pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare.

Haxhiu gjatë qëndrimit në Taranto ka vizituar edhe delegacionin e Kosovës, duke ndjekur nga afër disa nga aktivitetet e sportistëve kosovarë dhe duke i mbështetur ata në garat e tyre.

Pjesëmarrja e saj në këtë ngjarje merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të ardhshëm të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Në ceremoninë e hapjes janë figura të larta të shtetit italian. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, është pjesë e ceremonisë, ndërsa në mesin e të ftuarve të rëndësishëm është edhe kryeministrja Giorgia Meloni.

Ceremonia do të shërbejë edhe si momenti i hyrjes zyrtare të delegacioneve të 26 shteteve pjesëmarrëse në stadiumin “Iacovone”.

Koncepti artistik i ceremonisë lidhet ngushtë me historinë dhe identitetin e Tarantos. Shfaqja do të ndërthurë të kaluarën e qytetit, detin, kulturën e Magna Graecia-s dhe vlerat e sportit, duke u bazuar në moton “Embrace the Future – Abbracciamo il Futuro”.

Në programin artistik do të performojnë emra të njohur të muzikës italiane, mes tyre Al Bano, Mietta dhe Serena Brancale.

Për Kosovën, “Taranto 2026” përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në skenën sportive ndërkombëtare. Përveç numrit rekord të sportistëve, pjesëmarrja për herë të parë në katër sporte ekipore i jep delegacionit kosovar një dimension të ri.

Sportistët tashmë kanë nisur garat që në ditët e para të Lojërave, ndërsa synimi mbetet paraqitja sa më e mirë dhe sigurimi i rezultateve pozitive.

Ceremonia hapëse në “Iacovone” shënon kështu fillimin zyrtar të një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të vitit në rajonin e Mesdheut, me Kosovën që hyn në këtë edicion me delegacionin më të madh të dërguar ndonjëherë në Lojërat Mesdhetare.

The post Zhvillohet ceremonia e hapjes së ‘Taranto 2026`, Kosova me 163 sportistë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.