Zv.drejtori i Doganave, Mustafa Dauti vizitë zyrtare në Turqi: Fokus bashkëpunimi ekonomik dhe doganor me komunën e Inegolit (FOTO)

Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka realizuar një vizitë zyrtare në Turqi, ku është pritur në një takim nga Kryetari i Komunës së Inegolit, Alper Taban, si dhe nga përfaqësues të autoriteteve doganore vendase.
Gjatë këtij takimi, i cili është vlerësuar si i ngrohtë dhe miqësor, është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, duke pasur parasysh se Inegoli njihet si një qendër e rëndësishme industriale me mbi 3.000 fabrika dhe kompani prodhuese. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre bizneseve tashmë bashkëpunojnë me kompani nga Maqedonia e Veriut, ndërsa vizita ka shërbyer për të eksploruar hapësira të reja për zgjerimin e këtij partneriteti tregtar.
Aspekti i shkëmbimeve tregtare ka qenë në qendër të vëmendjes edhe në takimet e zhvilluara me zyrtarët doganorë të dy vendeve. Palët kanë shkëmbyer ide dhe praktika për forcimin e bashkëpunimit doganor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, me theks të veçantë te lehtësimi i procedurave për bizneset dhe intensifikimi i shkëmbimit të përvojave profesionale mes administratave doganore.
Në kuadër të agjendës së tij, Dauti ka zhvilluar takime edhe me personalitete të tjera të jetës politike dhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme në Turqi, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe mbështetjen e nismave që kontribuojnë në lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunimit rajonal.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



