Zvicër: Rritja e TVSH-së për ushtrinë kalon në Këshillin e Shteteve

Këshilli i Shteteve në Zvicër ka miratuar rritjen e TVSH-së me 0.2 pikë përqindjeje për financimin e ushtrisë. Propozimi, i cili synon të sigurojë fonde shtesë për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, tani kalon për shqyrtim në Këshillin Kombëtar.
Vendimi u miratua me 25 vota pro dhe 17 kundër, gjatë sesionit vjeshtor të Parlamentit zviceran.
Këshilli Federal kishte propozuar fillimisht një rritje prej 0.8 pikë përqindjeje të TVSH-së, por pas kundërshtimeve të shumta e kishte ulur propozimin në 0.5 pikë për 12 vjet. Këshilli i Shteteve ka vendosur një rritje edhe më të ulët, prej 0.2 pikë përqindjeje.
Sipas Këshillit Federal, përkeqësimi i situatës së sigurisë e bën të nevojshëm financimin shtesë për blerjet dhe modernizimin e ushtrisë.
Në të njëjtën paketë është miratuar edhe krijimi i një fondi për sigurinë, me një vlerë maksimale prej 24 miliardë frangash. Fondi do të mund të marrë deri në 12 miliardë franga kredi dhe do të funksionojë për një periudhë deri në 18 vjet.
Këshilli i Shteteve ka vendosur që krijimi i fondit të jetë i ndarë nga votimi për rritjen e TVSH-së. Kjo do të thotë se edhe nëse qytetarët e refuzojnë rritjen e TVSH-së, fondi mund të krijohet, por do të duhet të gjendet një burim tjetër financimi.
Çështja tani i kalon Këshillit Kombëtar, i cili duhet të marrë qëndrim përpara se propozimi të ecë më tej në procesin parlamentar.
Debati për financimin e ushtrisë zhvillohet paralelisht me diskutimet për blerjen e avionëve luftarakë F-35. Parlamenti zviceran ka miratuar ndërkohë 394 milionë franga shtesë për programin F-35, ndërsa numri i avionëve që planifikohet të blihen është ulur nga 36 në 30.
The post Zvicër: Rritja e TVSH-së për ushtrinë kalon në Këshillin e Shteteve appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



