Zyrtari i IKD-së: Vettingu në Kosovë, ligjërisht nuk ka filluar asnjëherë

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Kosova ka bërë vazhdimisht përpjekje për reformën në drejtësi, duke shtuar se ende synon të bëjë reforma. Mirëpo, sipas tij, rruga që është gjetur për reformën në sistemin e drejtësisë është bërë përmes ndryshimeve legjislative. “Kjo ka sjellë pasiguri juridike

Zyrtari i IKD-së: Vettingu në Kosovë, ligjërisht nuk ka filluar asnjëherë

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se Kosova ka bërë vazhdimisht përpjekje për reformën në drejtësi, duke shtuar se ende synon të bëjë reforma.

Mirëpo, sipas tij, rruga që është gjetur për reformën në sistemin e drejtësisë është bërë përmes ndryshimeve legjislative.

“Kjo ka sjellë pasiguri juridike për shkak të ndryshimeve të legjislacionit”, u shpreh Shala, duke përmendur ndryshimet në Kodin Penal, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, etj.

Për gjithë këto ndryshime, Shala tha se duhet të ketë vullnet për implementimin e tyre. Ai tha se si Këshilli Prokurorial, ashtu edhe ai Gjyqësor, funksionojnë pothuajse me bazë të njëjtë ligjore, por që avancimi i kësaj të fundit është shumë më i madh se ai i sistemit prokurorial, për çka tha se është në situatën e njëjtë siç ka qenë më parë.

“Çështja e Vettingut, kemi pasur premtim të fortë nga qeveria në detyrë, por përkundër marrjes së disa masave, kushtetutshmërisht dhe ligjërisht nuk ka filluar asnjëherë në Kosovë pasi nuk është krijuar baza e mjaftueshme për të filluar”, tha Shala.

Ai shtoi se ky Vetting supozohet të bëhet vetëm për krerët e sistemit, me synimin që ky proces do të pastrojë kanalet e llogaridhënies dhe do ta bëjë llogaridhënës pjesën tjetër të drejtësisë.

Shala foli në veçanti për reformën në KPK, për çka tha se Komisioni i Venecias ka thënë se ka përbërje korporatiste, pasi 10 nga 13 anëtarët e saj janë nga sistemi prokurorial dhe nuk janë pritshmëritë që të njëjtët t’i mbajnë përgjegjës kolegët e vet.

Veç kësaj, Shala përmendi edhe zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit, ku tha se janë miratuar ligje në kundërshtim me këtë strategji.

Krejt në fund, hulumtuesi i IKD-së përmendi deklaratat politike të akterëve qeveritarë, për çka tha se kritikat dhe ofendimet që akterët politikë kanë bërë për sistemin e drejtësisë, nuk mund të paramendohen në një vend ku duhet të sundojë ligji.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Koalicioni i Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, më 10 dhe 11 prill 2025 (enjte dhe premte), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) dhe fondeve programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, organizojnë: “Konferencën Rajonale për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Reformën në Drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, si dhe “Takimin Vjetor të Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”. Në këtë konferencë, marrin pjesë pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe vende të tjera.