Shqiptari që është bërë i preferuari i propagandës ruse, gazeta finlandeze zbulon historinë e tij

  • Ndaje
Shqiptari që është bërë i preferuari i propagandës ruse, gazeta finlandeze zbulon historinë e tij

Bëhet fjalë për Armando Memën, të cilin agjencitë ruse RIA Novosti dhe TASS e prezantojnë vazhdimisht si politikan finlandez.

Një shqiptar që jeton në Finlandë është shndërruar në një nga personat më të cituar nga mediat shtetërore ruse, megjithëse në vendin ku jeton ka ndikim shumë të kufizuar politik.

Gazeta prestigjioze finlandeze Helsingin Sanomat i ka kushtuar sot, më 8 nëntor, një artikull Memës, duke analizuar mënyrën se si ai është kthyer në një burim të parapëlqyer të mediave ruse.

Titulli i gazetës është: “Propaganda: Mediat ruse po citojnë me ritëm gjithnjë e më të shpeshtë një hidraulik që jeton në Nurmijärvi”.

Sipas gazetës, Mema është një burrë në të tridhjetat, me prejardhje shqiptare dhe shtetësi italiane, që jeton në Finlandë. Ai është angazhuar në politikë përmes një partie të vogël finlandeze, por vëmendja që merr në mediat ruse është shumë më e madhe sesa pesha e tij reale në politikën e Finlandës.

Helsingin Sanomat raporton se gjatë këtij viti agjencia shtetërore RIA Novosti ka shtuar ndjeshëm publikimin e deklaratave të tij, duke arritur ta citojë pothuajse çdo ditë.

Edhe agjencia tjetër shtetërore ruse, TASS, i ka dhënë hapësirë të konsiderueshme qëndrimeve të Memës, të cilat, sipas gazetës finlandeze, zakonisht përputhen me pikëpamjet e Kremlinit.

Në këtë mënyrë, një person relativisht i panjohur për publikun finlandez është shndërruar në një burim të rregullt për mediat ruse kur ato raportojnë mbi qëndrimet e supozuara të politikanëve perëndimorë.

Vetë Mema, në deklarimet për Helsingin Sanomat, e ka përshkruar rritjen e popullaritetit të tij si një mrekulli.

“Unë jam gjithmonë në anën e paqes”, ka deklaruar ai.

Kush është Armando Mema?

Sipas një hulumtimi të publikuar më 24 mars nga gazeta italiane Open, duke iu referuar edhe raportimeve të The Insider, Mema ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në Itali, ku familja e tij ishte zhvendosur gjatë viteve ‘90.

Në vitin 2019 ai është vendosur në Finlandë, ku është kualifikuar për profesionin e hidraulikut.

Fillimisht ishte përfshirë në politikë përmes të Gjelbërve në Finlandë, por më vonë u largua nga kjo parti, për shkak të mospajtimeve me qëndrimet e saj lidhur me Izraelin dhe Gazën.

Më pas iu bashkua partisë Vapauden liitto, ose Aleanca e Lirisë, një subjekt i vogël euroskeptik, i cili nuk ka përfaqësim në Parlamentin e Finlandës.

Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të vitit 2024, Mema kishte marrë vetëm 99 vota, sipas hulumtimit të Open.

Megjithatë, kjo nuk i ka penguar mediat shtetërore ruse që ta paraqesin si një zë të politikës finlandeze, veçanërisht kur ai kritikon politikën perëndimore ndaj Rusisë.

Kundër ndihmës për Ukrainën, i cituar nga Moska

Mema ka kritikuar vazhdimisht mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe politikën e NATO-s ndaj Rusisë.

Deklaratat e tij janë përdorur në raportime që kundërshtojnë furnizimin e Ukrainës me armë, kritikojnë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kërkojnë rikthimin e marrëdhënieve ndërmjet Evropës dhe Moskës.

Më 27 tetor, RIA Novosti publikoi deklarata të Memës, në të cilat ai kritikonte presidentin finlandez Alexander Stubb për qëndrimin ndaj Rusisë, duke argumentuar se udhëheqësit evropianë kishin gabuar me politikën e tyre ndaj Kremlinit.

Madje, më 5 nëntor, agjencia ruse publikoi sërish deklarata të tij, duke e prezantuar si politikan finlandez.

Ai ka dhënë intervista edhe për televizionin shtetëror rus RT.

Si krijohet përshtypja e mbështetjes evropiane për Kremlinin?

Rasti i Memës ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe organizatave që merren me verifikimin e fakteve.

Hulumtimi i The Insider dhe analiza e Open kanë ngritur pikërisht çështjen e dallimit ndërmjet peshës reale politike të Memës dhe rëndësisë që i atribuohet atij në raportimet e mediave shtetërore ruse.

Një deklaratë individuale e një anëtari të një partie të vogël, kur publikohet nën tituj që i referohen një “politikani finlandez”, mund të krijojë te lexuesit përshtypjen se bëhet fjalë për një qëndrim me peshë të konsiderueshme në Finlandë.

Në realitet, Mema nuk përfaqëson qeverinë finlandeze dhe as një parti parlamentare.

Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të marrë hapësirë të madhe në mediat ruse.

Artikulli i sotëm i Helsingin Sanomat tregon se interesimi i këtyre mediave për deklaratat e tij jo vetëm që nuk është zvogëluar, por është intensifikuar.

Megjithatë, raportimet mbi përdorimin e deklaratave të Memës nga mediat shtetërore ruse nuk përbëjnë, në vetvete, dëshmi se ai financohet apo merr udhëzime nga autoritetet ruse.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.