26-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s/ Çerek shekulli me garantin e sigurisë në Kosovë

Para 26 viteve filluan sulmet e Aleancës Veriatlantike kundër caqeve të ish-Jugosllavisë, sulme këto që zgjatën 78 ditë dhe rezultuan me përfundimin e luftës në Kosovë. Lufta e Kosovës përfundoi më 10 qershor 1999, në ditën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, miratoi Rezolutën 1244, e cila i dha fund zyrtarisht luftimeve. Më 12 qershor

26-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s/ Çerek shekulli me garantin e sigurisë në Kosovë

Para 26 viteve filluan sulmet e Aleancës Veriatlantike kundër caqeve të ish-Jugosllavisë, sulme këto që zgjatën 78 ditë dhe rezultuan me përfundimin e luftës në Kosovë.

Lufta e Kosovës përfundoi më 10 qershor 1999, në ditën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së, miratoi Rezolutën 1244, e cila i dha fund zyrtarisht luftimeve.

Më 12 qershor 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa nisi largimi i forcave serbe. Me hyrjen e NATO-s në Kosovë, nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Njëzet e gjashtë vite me vonë ka diskutime nëse NATO do ta heq prezencën e saj nga Kosova, ndonëse zyrtarisht është mohuar një gjë e tillë.

Ish-koloneli Veseli: SHBA-të nuk do ta kushtëzojnë pavarësinë e Kosovës

Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli, për “Front Online” ka folur lidhur me situatën aktuale në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Ai tha se edhe pse ka pasur spekulime për një tërheqje të mundshme të forcave ndërkombëtare, deklaratat e Sekretarit të NATO-s tregojnë të kundërtën.

“Jemi në një situatë të paqartë, edhe pse Sekretari i NATO-s ishte shume i qartë, se NATO-ja në Kosovë do qëndrojë me të njëjtin mision si deri më tani. SHBA deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal të tërheqjes së tyre nga Kosova”, shprehet ai.

Sipas tij, Kosova është një shtet i pavarur dhe me ushtri, falë angazhimit të Amerikës.

“Kosova ndryshon nga gjithë vendet tjera ku ka prani të ushtrisë amerikane, sepse lufta dhe liria, pavarësia dhe mbështetja mbi 30 vjeçare e SHBA-së, Kosovën e sollën këtu ku jemi, pra shtet të pavarur dhe me ushtri të saj”, tha ai.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje për një Qeveri të fortë dhe të qëndrueshme që do të ruajë aleancën me SHBA-në, duke paralajmëruar se arroganca mund të dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

“Ne duhet me urgjencë të formojmë Qeverinë dhe një reflektim i fuqishëm për ta ruajtur aleancën tonë me SHBA. Pa aleancën me SHBA, është e vështir të mendohet e ardhmja. Mendje madhësia dhe arroganca dëmton deri në përmasa dramatike të tanishmen dhe të ardhmen e Republikës sonë”, shprehet Veseli.

Ish-ministri i Mbrojtjes: Kredibiliteti dhe fuqia e NATO-s janë garant për sigurinë në Kosovë

Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Anton Quni për “Front Online” e ka shprehur rëndësinë e NATO-s si mburojë të fuqishme për botën demokratike.

Quni e ka cilësuar intervenimin dhe prezencën e NATO-s në Kosovë si një dëshmi të fuqishme që nuk ka rrezik nga tërheqja e aleancës.

“Mburoja më e fuqishme e botës demokratike prej të gjitha sulmeve që vijnë nga regjimet diktatoriale, është NATO-ja. Natyra e funksionimit të NATO-së, kredibiliteti i saj, përvojat diplomatike dhe kapacitetet ushtarake janë parakushtet e fuqishme që të arrijnë çdo objektiv dhe të përmbushin çdo mision. Intervenimi dhe prezenca e NATO-së në Kosovë është dëshmi këmbëngulëse se nuk ka tërheqje prej çfarëdo rreziku”, tha Quni.

Ai ka shtuar se përpjekjet e disa qarqeve që tentojnë të krijojnë dilema te qytetarët e Kosovës lidhur me NATO-n janë të pasuksesshme dhe kanë si qëllim të krijojnë panik dhe frikë.

“Nuk qëndrojnë përpjekjet e disa qarqeve që mundohen të ngrisin dilema te qytetarët e Kosovës në raport me NATO-n. Janë përpjekje për të shkaktuar panik dhe frikë nga të cilat do të donin të përfitonin regjimet e Beogradit dhe Moskvës. Të vazhdojmë të besojmë tek NATO-ja, të bashkëpunojmë ngushtë në fushën e sigurisë dhe të punojmë që edhe Kosova të bëhet anëtare e saj”, shprehet Quni.

Xhavit Haliti: 25-vjetori i pranisë së NATO-s në Kosovë, Ballkani duhet të angazhohet për paqe

Xhavit Haliti, anëtar i delegacionit të Kosovës në Asamblenë e NATO-së deklaroi për “Front Online” se NATO është e pranishme në Kosovë për 25 vjet dhe se shtetet e aleancës kanë investuar miliarda dollarë për të siguruar stabilitetin në rajon.

Sipas tij, megjithatë, për të arritur një paqe të qëndrueshme, është e nevojshme që edhe vendet e Ballkanit të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen aktivisht në këtë proces.

“Mesazhi permanent është, vendoseni paqen në Ballkan . Qe 25 vjet, NATO është në Kosovë, shtetet e NATO-s shpenzuan miliarda dollarë për të vendosur paqen në Ballkan. Për të vendosur paqen, përgjegjëse dhe angazhime duhet të bëjnë edhe vendet e Ballkanit”, deklaroi Haliti.

Ish-gjenerali Berisha: Spekulimet për tërheqjen e NATO-s janë të pabazuara dhe dëmtojnë interesat e Kosovës

Ish-gjenerali i Luftës në Kosovë, Hisen Berisha, është shprehur për “Front Online” se prezenca e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe sigurinë e Kosovës.

Ai ka theksuar se mandati i OKB-së për NATO/KFOR nuk është vënë në pikëpyetje nga asnjë palë.

Sipas tij, sfidat dhe kërcënimet e sigurisë, përfshirë përpjekjet për destabilizim nga Serbia, e bëjnë më të nevojshme praninë e forcave të NATO-s.

“Prezenca e NATO-s në Kosovë mbetet e domosdoshme për stabilitetin rajonal dhe sigurinë e vetë Kosovës. NATO/KFOR është këtu me mandat të OKB-së, dhe ky mandat nuk është vënë në pikëpyetje as nga aleatët e NATO-s. Sfidat e sigurisë, kërcënimet nga Serbia dhe përpjekjet për destabilizim në rajon vetëm sa e bëjnë edhe më të nevojshme praninë e forcave të NATO-s“, deklaroi Berisha.

Berisha ka theksuar rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, duke propozuar që baza ushtarake e Forcave të Armatosura të SHBA-ve në Kosovë të transformohet në një bazë të përhershme.

“Një aleancë e fortë dhe e qëndrueshme në Kosovë dhe rajon nuk mund të imagjinohet pa praninë e SHBA-së dhe NATO-s. Baza ushtarake e Forcave të Armatosura të SHBA-ve në Kosovë mbetet një faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë. Ne do të punojmë në atë drejtim që ti ndërrohet statusi nga “kamp” të transformohet në bazë të bëhet e përhershme, duke forcuar më tej partneritetin strategjik me SHBA-në dhe duke garantuar një prani të përhershme ushtarake që siguron paqen dhe parandalon çdo kërcënim ndaj Kosovës dhe rajonit”, shprehet ai.

Njohësi i sigurisë: FSK-ja ka avancuar, siguria në Kosovë është garantuar nga NATO

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar për “Front Online” progresin e Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e FSK-së si një instrument të rëndësishëm politik dhe ushtarak.

Shala ka deklaruar se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë një pikë kyçe e suksesit të aleancës dhe ka garantuar siguri dhe paqe në rajon.

“Progresi i treguar gjatë këtyre viteve, avancimet në kontekstet ushtarak strategjik, FSK një instrument i rëndësishëm politik dhe ushtarak ka avancuar me planin e saj gjithëpërfshirës suksesi i NATO-s gjatë ekzistencës së saj është pikërisht intervenimi në Kosovë që ka garantuar dhe garanton siguri në paqe në kuadër të mekanizmat ndërkombëtarë ky është tregues i qartë që jemi në rrugëtimin e drejtë dhe të duhur”, shprehet Shala.