A kanë nisur negociatat me Haradinajn për Qeverinë e opozitës? Flasin nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja
Pas përfundimit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur qëndrimin e partisë së tij, se është për një qeveri të opozitës. Haradinaj deklaroi se ka “komunikim të ndërsjellë” me opozitën për formimin e Qeverisë. Njejtë janë deklaruar edhe krerët e PDK-së, Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza
Pas përfundimit të numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur qëndrimin e partisë së tij, se është për një qeveri të opozitës.
Haradinaj deklaroi se ka “komunikim të ndërsjellë” me opozitën për formimin e Qeverisë.
Njejtë janë deklaruar edhe krerët e PDK-së, Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza, megjithatë nuk kanë dhënë detaje nëse po diskutohet me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për një iniciativë të tillë.
Xhemaili dhe Rama i PDK-së: Jemi për Qeveri të opozitës
Bajrush Xhemaili, sekretar për politika programore në PDK, deklaroi për “Front Online” se nuk e ka një informatë të tillë.
“Personalisht nuk jam i njoftuar për këtë, kryetari e di më mirë. Sot s’kam qenë në punë ka mundësi të jetë edhe kjo”, deklaroi Xhemaili.
Deputeti i ri PDK-së, Rrahman Rama është shprehur për “Front Online” se është pro një Qeverie të opozitës, derisa thotë se s’ka informatë për komunikim me AAK-në.
“Po, po për qeveri të opozitës, e për AAK s’kam informatë të tillë”, deklaroi Rama.
Pyeten për Qeverinë e opozitës/ LDK: No comment!
Nënkryetari për organizim partiak në LDK, Gazmend Muhaxheri shprehet për “Front Online” se s’ka interesim të flet lidhur me deklaratën e kreut të AAK-së për “komunikim të ndërsjellët” me opozitën për të krijuar qeverinë e re.
“Nuk i kam dëgjuar këto deklarata, s’jam duke u marrë se i kam disa punë të tjera. Nuk mund të komentoj deklarata të askujt”, u shpreh shkurt Muhaxheri.
Njëjtë si Muhaxheri, edhe Lutfi Haziri nënkryetari i LDK-së është deklaruar se s’ka koment për këtë çështje.
“Nuk kam koment”, deklaroi Haziri.
Demhasaj i AAK-së: PDK-ja pro Qeverisë së opozitës, LDK-ja jo shumë e qartë
Ish-kandidati për deputet nga AAK-ja, Arton Demhasaj, tha për “Front Online” se është e mundshme krijimi i një Qeverie të opozitës nëse partitë opozitare arrijnë një dakordim mes tyre.
Demhasaj thotë se Partia Demokratike është përkrahës i një qeverie të opozitës, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk është shumë e qartë.
“Është e mundshme një Qeveri e opozitës nëse ka dakordim mes partive opozitare se numrat e opozitës janë më shumë se VV. PDK është deklaruar publikisht që janë kundër koalicionit me VV dhe janë pro të Qeverisë së opozitës, LDK s’ka qenë e qartë, por pas zgjedhjeve vërehet tendenca më e madhe nga opozita se sa nga VV-ja”, theksoi Demhasaj.