A mund të llogarisë Ukraina në BE pas pezullimit të ndihmës amerikane?
“Ky është momenti i Evropës,” po thonë diplomatët në Bruksel, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, më 3 mars, për të pezulluar përkohësisht financimin ushtarak për Ukrainën. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, mbetet për t’u parë. Përtej retorikës, pyetja kyçe është nëse Evropa e ka vullnetin politik për të kompensuar plotësisht pezullimin [...]Read More...

“Ky është momenti i Evropës,” po thonë diplomatët në Bruksel, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, më 3 mars, për të pezulluar përkohësisht financimin ushtarak për Ukrainën.
Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë, mbetet për t’u parë. Përtej retorikës, pyetja kyçe është nëse Evropa e ka vullnetin politik për të kompensuar plotësisht pezullimin e shpenzimeve të SHBA-së për Ukrainën?
Deri tani, kjo pyetje nuk ka përgjigje.
NATO po pret më shumë hollësi nga Uashingtoni përpara se të bëjë ndonjë njoftim zyrtar.
Diplomatët e aleancës i thanë Radios Evropa e Lirë se janë duke tentuar të mësojnë nëse aleatët evropianë ende mund të blejnë armë amerikane dhe t’i transferojnë ato në Ukrainë.
Siç tha një diplomat: “Evropa thjesht nuk ka furnizime të mjaftueshme për momentin, por nëse mund të vazhdojë t’i përdorë armët dhe municionet amerikane, atëherë mund të jetë në rregull.”
Kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu drejtua mediave në mëngjesin e 4 marsit, për të paraqitur propozimet e saj për rritjen e shpenzimeve evropiane për mbrojtje, dhe për ndihmë ushtarake për Ukrainën, ajo shmangu çdo referencë ndaj vendimit të SHBA-së.
“Evropa përballet me rrezik të qartë”Përpara një samiti vendimtar të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 6 mars, për mënyrën e trajtimit të mjedisit të ri të sigurisë, shefja e BE-së u dërgoi një letër shteteve anëtare të BE-së, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, ku shkruan se “një epokë e re ka ardhur. Evropa përballet me një rrezik të qartë dhe të pranishëm në një shkallë që askush prej nesh nuk e ka parë”.
Ajo gjithashtu bëri një kritikë të lehtë ndaj Uashingtonit, duke shkruar se, si presidente e Komisionit Evropian, “marrëdhëniet e forta me Shtetet e Bashkuara janë një nga objektivat e mi kryesorë, si në nivel dypalësh, ashtu edhe përmes grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7). Por, konteksti në të cilin operojmë po ndryshon në mënyrë drastike dhe dramatike.”
A është koha që BE-ja të marrë përsipër boshllëkun financiar të lënë nga SHBA?Ndoshta jo aq shpejt.
Si propozimet e von der Leyenit, ashtu edhe drafti i konkluzioneve të samitit të BE-së, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, nuk përmbajnë asnjë propozim konkret për mbështetjen e drejtpërdrejtë të Ukrainës, duke përfshirë mungesën totale të hollësive mbi financimin, përveç 30 miliardë eurove që tashmë janë premtuar si mbështetje buxhetore për Kievin në vitin 2025.
Problemi është se një shtesë prej 30 miliardë eurosh do të nevojitet këtë vit, nëse SHBA-ja tërhiqet plotësisht. Liderët evropianë ishin përgatitur për këtë skenar shumë përpara njoftimit të Trump, veçanërisht pas vonesës së Kongresit amerikan për të miratuar një paketë ndihme për Kievin në vitin 2024.
“Ta bëjmë BE-në më të sigurt”Nisma e von der Leyenit për riarmatosje të Evropës, tani duket se fokusohet vetëm në rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së BE-së, dhe jo në ndihmën e drejtpërdrejtë për Ukrainën.
Ajo përfshin një hua prej 150 miliardë eurosh për shtetet anëtare, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe arsenalet e dronëve, më shumë fleksibilitet në rregullat e shpenzimeve të BE-së për vendet që rrisin buxhetet e mbrojtjes, dhe një mundësi për t’i ridrejtuar fondet e BE-së, të destinuara për rajonet më të varfra drejt projekteve ushtarake – nëse shtetet anëtare vendosin ta bëjnë këtë.
Sipas von der Leyenit, këto masa mund të krijojnë deri në 800 miliardë euro në shpenzime për mbrojtje. Por, pyetja kryesore mbetet: A bëhet fjalë për ta bërë BE-në më të sigurt, apo për të siguruar që Ukraina të mund t’i rezistojë agresionit rus?
Ideja që investimi i shtuar evropian në mbrojtje do të lejojë më shumë mbështetje për Ukrainën tingëllon logjike – por a do të funksionojë në praktikë?
Përgjigja për këtë mund të gjendet në një zhvillim tjetër në Bruksel këtë javë.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, kishte propozuar një plan për të mbledhur 30 miliardë eurot që i nevojiten Ukrainës, duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse të mbajtura nga blloku, dhe kontributet vullnetare nga shtetet anëtare të BE-së bazuar në të ardhurat e tyre kombëtare.
Megjithatë, ky plan tani është pezulluar.
Diplomatët e BE-së thonë se disa shtete anëtare nuk ishin të gatshme të angazhoheshin për një shumë kaq të madhe në këtë moment, ndërsa të tjerët treguan me gisht drejt Hungarisë, e cila ka kundërshtuar për një kohë të gjatë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Sipas diplomatëve të BE-së, Budapesti madje ka kërcënuar të vërë veton ndaj çdo teksti të samitit që sfidon përpjekjet e SHBA-së për të negociuar një marrëveshje paqeje me Moskën.
“Momenti” i Evropës mund të mos përfshijë fare Ukrainën.