Abdixhiku përkujton Heroin Sali Çekaj në 26 vjetorin e rënies në Betejën e Koshares

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 26 vjetorin e rënies në Betejën e Koshares. Abdixhiku tha se 26 vite pas rënies së tij heroike, nderojnë figurën e tij si simbol i rezistencës, i dijes, i veprimit politik dhe luftës së armatosur. Ai ishte një nga personalitetet më

Abdixhiku përkujton Heroin Sali Çekaj në 26 vjetorin e rënies në Betejën e Koshares

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 26 vjetorin e rënies në Betejën e Koshares.

Abdixhiku tha se 26 vite pas rënies së tij heroike, nderojnë figurën e tij si simbol i rezistencës, i dijes, i veprimit politik dhe luftës së armatosur.

Ai ishte një nga personalitetet më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – një vizionar, intelektual, një politikan dhe një ushtarak i jashtëzakonshëm.

“Në prillin e një pranvere të dhimbshme të vitit 1999, kur vendi jonë po kalonte ditët më të vështira të historisë së tij, në lartësitë e ashpra të Koshares ra për të mos vdekur kurrë Komandant Sali Çekaj – VETERANI. Ai ra për lirinë e Kosovës. Ra në Koshare, atje ku u shkrua një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë”.

“Përderisa rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, ku bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, u bë dhe organizator i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për t’i ndihmuar ata materialisht e politikisht, për çlirimin e vendit. Ndërsa vetë Sali Çekaj ishte pjesë e përpjekjeve të para për organizimin e rezistencës së armatosur, që nga fillimi i viteve ’90, në përgatitjen e grupeve të para guerile në Shqipëri – mes të cilëve ishin edhe komandanti Adem Jashari, Heroi Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra dhe shumë të tjerë”, shkruhet ndër të tjerash në reagimin e LDK-së të publikuar në Facebook.

Ndër të tjerash, potencohet Çekaj së bashku me Agim Ramadanin, ishin ndër ideatorët dhe drejtuesit e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare, një akt që shënoi një kthesë historike në luftën për çlirim.