Afganistani “fik” internetin/ Talebanët ndërpresin shërbimet në të gjithë vendin: Është imoralitet

Shërbimet e internetit u ndërprenë në të gjithë Afganistanin të martën, duke e lënë vendin në një terr informativ. Organizata ndërkombëtare për monitorimin e aksesit në internet, NetBlocks tha se Afganistani po përballet me një ndërprerje totale, ndërsa agjencitë ndërkombëtare të lajmeve thanë se kanë humbur kontaktin me zyrat në kryeqytetin Kabul. Interneti celular dhe [...]Read More...

Afganistani “fik” internetin/ Talebanët ndërpresin shërbimet në të gjithë vendin: Është imoralitet

Shërbimet e internetit u ndërprenë në të gjithë Afganistanin të martën, duke e lënë vendin në një terr informativ. Organizata ndërkombëtare për monitorimin e aksesit në internet, NetBlocks tha se Afganistani po përballet me një ndërprerje totale, ndërsa agjencitë ndërkombëtare të lajmeve thanë se kanë humbur kontaktin me zyrat në kryeqytetin Kabul. Interneti celular dhe televizioni satelitor pësuan gjithashtu ndërprerje të mëdha në të gjithë vendin.

Qeveria e talebanëve tha se kjo masë po ndërmerrej për të parandaluar imoralitetin dhe veset dhe një zëdhënës tha se autoritetet do të shqyrtojnë alternativat. Sipas medias britanike BBC, një komitet në Kabul është ngarkuar të shqyrtojë mundësinë e “filtrimit” të internetit me fibra optike për t’iu përshtatur kushteve të talebanëve.

Ndërprerja e internetit është më e  fundit në një seri kufizimesh që talebanët kanë zbatuar që kur janë kthyer në pushtet. Më herët këtë muaj, ata hoqën libra të shkruar nga gratë nga sistemi universitar i vendit dhe po ashtu shpallën të jashtëligjshme mësimdhënien e të drejtave të njeriut dhe ngacmimit seksual.

Gratë dhe vajzat janë goditur rëndë, pasi iu është ndaluar qasja në arsim përtej moshës 12 vjeç. Interneti ishte e vetmja mundësi e tyre për të mësuar dhe për të pasur kontakt me botën jashtë Afganistanit.

Veç bllokimit të internetit, mediat lokale raportuan se edhe fluturimet nga aeroporti i Kabulit janë ndërprerë gjithashtu. Sipas shërbimit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, të paktën tetë fluturime të planifikuara të niseshin ose të mbërrinin në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit të martën janë anuluar.

Talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit në vitin 2021, disa javë pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të tjera ndërkombëtare.