Aksion i madh policor në Shkup, Tetovë e Gjevgjeli: Arrestime dhe bastisje, në shënjestër edhe zyrtarë të Doganës!

Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar në zonën e Shkupit (Çair), Tetovës dhe Gjevgjelisë, i cili ka për qëllim shkatërrimin e një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë, tregti ilegale të barnave, medikamenteve dhe suplementeve, si dhe për vepra penale korruptive.
Sipas informacioneve të para jozyrtare, deri më tani janë arrestuar 6 persona, ndërsa policia është në kërkim të disa të tjerëve — në mesin e të cilëve ka edhe punonjës të Drejtorisë së Doganave. Kontrollet policore po zhvillohen në më shumë se 10 lokacione në qytetet e përmendura.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në një subjekt juridik në Shkup dhe Tetovë, policia ka zbuluar një depo me barna të ndryshme mjekësore si dhe një makinë për ekstraktimin e vajit.
Aksioni po realizohet nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike (MBO – MPB), nën dyshimet për kontrabandë, shkelje të të drejtave nga pronësia industriale, dhënie dhe marrje ryshfeti, si dhe larje parash./express.mk
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



