Akuzat ndaj opozitës/ Pushteti në panik, po nxitet dhu’na në prag të zgjedhjeve
Edhe 11 ditë partitë politike në vend kanë hapësirë ta prezantojnë programin e tyre elektoral, në mënyrë që t’i bindin qytetarët për t’ua marr votat në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Ndryshe nga opozita, pushteti aktual ka vendosur që fushatën zgjedhore ta udhëheq me gjuhë të ashpër dhe akuza të rënda e nënçmuese ndaj opozitës.

Edhe 11 ditë partitë politike në vend kanë hapësirë ta prezantojnë programin e tyre elektoral, në mënyrë që t’i bindin qytetarët për t’ua marr votat në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ndryshe nga opozita, pushteti aktual ka vendosur që fushatën zgjedhore ta udhëheq me gjuhë të ashpër dhe akuza të rënda e nënçmuese ndaj opozitës.
Duke filluar nga shefi i LVV-së, Albin Kurti i cili ka vazhduar me fyerje e akuza ndaj dy partive më të mëdha opozitare si LDK e PDK, të cilat i ka quajtur “hajna që vjedhin bashkë” dhe “Pydykyhi dhe Lydykyhi”.
Pas Kurtit, ministrja Donika Gërvalla ka vazhduar me deklarata skandaloze duke e quajtur Ramush Haradinajn “ të ashtuquajtur hero të Çakorrit” dhe “gjeneral të vetëshpallur”.
Kryeministri Albin Kurti nuk është pritur mirë të hënën në Skënderaj ku me dhjetëra qytetarë janë revoltuar duke gjuajtur me mjete piroteknike. Në këtë incident, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përfshirë ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku.
Haxhiu e ka akuzuar Lushtakun se personalisht ka tentuar ta sulmoj eskortën e Kryeministrit.
Kjo qasje e pozitës dhe gjuha e përdorur në fushatë po kundërshtohet nga opozita, e cila thotë se për shkak të dështimit të prezantimit të sukseseve që s’kanë pasur gjatë katër viteve, ata po revoltohen me gjuhë bullizuese e akuza të pa baza.
Ilir Tahiri: Donika Gërvalla është edukuar “në prehër” të diktatorit Enver Hoxha
Kandidati për deputet nga PDK-ja, Ilir Tahiri, i është drejtuar ministres Donika Gërvalla, duke thënë se ajo nuk ka të drejtë të sulmojë UÇK-në dhe komandantët e saj, duke shtuar se Gërvalla është formuar në ndikimin e ish-diktatorit Enver Hoxha.
“Që katër vite s’kanë bërë asgjë, janë rritë në politikë me rrena, fyerje, etiketime. Donika Gërvalla mos me sha UÇK-në e mos mu merr me komandantë nuk ish përmend askund. Gërvalla është edukuar në prehër të Enver Hoxhës”, shprehet ai.
Ai ka kritikuar Albulena Haxhiun dhe Kryeministrin Kurti, duke i akuzuar se po përpiqen të nxisin konflikte për të bërë viktimën.
“Albulena Haxhiu e Kurti e kanë qëllimin me nxitë konflikte. Ata krejt komplet nuk i afrohen Bedri Hamzës, po duan me bë viktimën duke na provokuar por përgjigjen do ta marrin me 9 shkurt”, tha ai për “Front Online”.
Sokol Havolli: LDK nuk bie në nivelin e ofendimeve, VV-ja e ka sikletin e dështimit
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sokol Havolli, ka reaguar ndaj deklaratave të pozitës në fushatë zgjedhore.
“Lumir Abdixhiku ka thënë që nuk duam me ra në moçalin e pështymave se prej sikletit që këta e kanë lidhur me informacionet që ju vijnë nga fushata i cili është dëshpërues për ta do të përfundojnë duke ofenduar opozitën e përçarje mes popullit”, u shpreh ai.
Havolli tha se LDK është e hapur për ballafaqim idesh për të ardhmen e Kosovës, ndërsa pozita s’ka guxim.
Ai sjelljen e tyre në kohë fushate e ka vlerësuar si të ulët.
“Ne nuk biem në këtë nivel se nuk kemi asnjë siklet dhe askush s’ka përveç tyre. Se ne jemi të hapur me dal me i ballafaquar idetë për të ardhmen e Kosovës por këta se kanë këtë guxim dhe përfundojnë me ofendime. Sjellje shumë e ulët”, deklaroi ai për “Front Online”.
Arton Demhasaj: “Vetëvendosja” është në panik, prandaj po bëjnë deklarata skandaloze
Kandidati për deputet nga AAK, Arton Demhasaj, ka kritikuar partinë në pushtet, duke thënë se dështimi i tyre në realizimin e projekteve i ka detyruar të përdorin deklarata skandaloze për të mbuluar, siç ka thënë ai, dështimin e qeverisjes.
“Duke mos realizuar asnjë projekt, asnjë premtim duke mos mbajt e duke mos pas çka me fol e për shkak të dështimit në qeverisje nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër vetëm të përdorin këso gjuhe”, tha ai për “Front Online”.
Ai ka përmendur Gërvallën dhe Haxhiun si shembuj të nivelit të ulët të politikës, duke thënë se kjo është një shenjë e panikut që LVV-ja po përjeton përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Kjo tregon panikun që e kanë për këto zgjedhje dhe duan të mbulohen me këto deklarata skandaloze si te Donika Gërvallës e Albulena Haxhiut, kjo tregon se çfarë niveli ka rënë LVV”, u shpreh Demhasaj.
Artan Muhaxhiri: Përdorimi i gjuhës bullizuese nga LVV-ja rrezikon të nxisë dhunë
Njohësi politik, Artan Muhaxhiri, në një prononcim për “Front Online” ka kritikuar përdorimin e gjuhës bullizuese nga LVV-ja, duke theksuar se kjo është një taktikë e rrezikshme që vjen si pasojë e mungesës së planeve.
“Janë dy çështje ose të prezantojnë programin realist ose të përdorin gjuhën bullizuese dhe sarkazmit deri te ai nivel që për shkak të ofendimeve ndaj kundërshtarëve mund të nxitë edhe dhunë”, tha ai.
Muhaxhiri ka paralajmëruar se përdorimi i këtyre metodave, të cilat ofendojnë kundërshtarët, mund të nxisin dhunë dhe eskalojnë situatën.
“LVV-ja është duke e përdorë një gjuhë të papërshtatshme dhe të rrezikshme për shkak të mungesës së planeve e ideve për të treguar sukseset qeveritare. Kjo gjuhë po përdorët si shpresë për ti mobilizuar militantët partiak. Nëse rritet intensiteti i kësaj gjuhe mund të eskaloj me dhunë fizike”, deklaroi ai.