Akuzat për antisemitizëm, SHBA rishqyrton kontratat me Universitetin e Kolumbias
UASHINGTON – Administrata e Presidentit Donald Trump njoftoi të hënën se do të rishikojë kontratat federale dhe projektet me Universitetin e Kolumbias, për shkak të akuzave se ky institucion arsimor nuk ka vepruar për t’iu kundërvënë antisemitizmit. Aktivistët e të drejtave të njeriut vënë në dukje rritjen e antisemitizmit, islamofobisë dhe ndjenjave kundër arabëve, që [...]Read More...

UASHINGTON – Administrata e Presidentit Donald Trump njoftoi të hënën se do të rishikojë kontratat federale dhe projektet me Universitetin e Kolumbias, për shkak të akuzave se ky institucion arsimor nuk ka vepruar për t’iu kundërvënë antisemitizmit.
Aktivistët e të drejtave të njeriut vënë në dukje rritjen e antisemitizmit, islamofobisë dhe ndjenjave kundër arabëve, që kur Izraeli, një vend aleat i Shteteve të Bashkuara, filloi operacionin shkatërrimtar ushtarak në Gazë, pas sulmit vdekjeprurës të militantëve palestinezë të Hamasit në tetor 2023.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi para një muaji se kishte krijuar një grup pune për të luftuar antisemitizmin. Departamenti i Shëndetësisë, Departamenti i Arsimit dhe Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme bënë një njoftim të përbashkët të hënën për rishqyrtimin e kontratave për Universitetin e Kolumbias.
“Grupi i punës i qeverisë federale për të luftuar anti-semitizmin po shqyrton pezullimin e kontratave prej 51.4 milionë dollarësh ndërmjet Universitetit të Kolumbias dhe qeverisë federale”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Agjencitë federale thanë se nuk janë marrë ende masa konkrete.
“Grupi i punës do të bëjë edhe një rishqyrtim gjithëpërfshirës të mbi 5 miliardë dollarëve në fonde federale të miratuara për Universitetin e Kolumbias”.
Agjencitë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nëse pati procese të ngjashme rishqyrtimi për shkak të akuzave për islamofobi dhe diskriminim të arabëve.
Protestat në universitete
Presidenti Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të luftuar antisemitizmin dhe është zotuar të dëbojë studentët që nuk janë shtetas amerikanë dhe persona të tjerë që morën pjesë në protestat pro-palestinezëve.
Universiteti i Kolumbias u vendos në epiqendër të protestave të universiteteve, gjatë të cilave demonstruesit kërkonin dhënien fund të mbështetjes amerikane për Izraelin, për shkak të krizës humanitare të shkaktuar nga operacioni izraelit në Gazë. Pati akuza për antisemitizëm dhe islamofobi gjatë protestave dhe kundër-protestave.
Gjatë demonstratave që u mbajtën në mbarë vendin në muaj e verës, u anuluan orët e mësimit, disa administratorë dhanë dorëheqjen dhe studentët protestues u pezulluan dhe u arrestuan.
Megjithëse intensiteti i protestave ka rënë gjatë muajve të fundit, pati disa demonstrata javën e kaluar në Nju Jork pas përjashtimit të dy studentëve nga Kolegji Barnard, që është pjesë e Universitetit të Kolumbias, dhe pasi guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul urdhëroi heqjen e një vendi pune për studime palestineze, që ishte shpallur në Kolegjin Hunter.
Një student i tretë në Kolegjin Barnard është përjashtuar, në lidhje me bllokimin e godinës Hamilton të Universitetit të Kolumbias vitin e kaluar./REL