Alarm mbi Atlantik: Avioni i SWISS për Boston detyrohet të aterrojë në Dublin

Një fluturim i kompanisë ajrore SWISS nga Cyrihu drejt Bostonit është detyruar të ndërpresë udhëtimin dhe të aterrojë në Dublin, pasi në kabinën e avionit u shfaq tym i shkaktuar nga një powerbank.
Fluturimi LX52 ishte nisur të dielën në mbrëmje nga Cyrihu drejt Bostonit, kur gjatë fluturimit mbi Atlantik ekuipazhi konstatoi praninë e tymit në kabinë.
Për shkak të situatës, ekuipazhi lëshoi sinjalin e emergjencës dhe mori vendimin që avioni të devijonte drejt kryeqytetit irlandez, Dublin, transmeton albinfo.ch.
Sipas SWISS, shkaku i tymit ishte një powerbank e një pasagjeri. Kompania sqaroi se sinjali i emergjencës u aktivizua në mënyrë që avioni të kishte përparësi gjatë aterimit.
Avioni Airbus A330-300 aterroi në mënyrë të sigurt në Dublin.
Në bord ndodheshin gjithsej 218 persona, prej tyre 206 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pa lëndime.
Pasagjerët u sistemuan në hotele, ndërsa SWISS po punon për të organizuar vazhdimin e udhëtimit të tyre. Avioni do t’i nënshtrohet kontrolleve përpara se të kthehet pa pasagjerë në Cyrih.
Ky është incidenti i dytë i ngjashëm për SWISS brenda një periudhe të shkurtër. Në fund të korrikut, një fluturim nga Cyrihu drejt Nju Jorkut u detyrua të aterronte në Bangor të shtetit amerikan Maine për shkak të tymit në kabinë. Hetimet treguan se një kuti karikimi e kufjeve ishte bllokuar dhe dëmtuar në një ulëse, duke u mbinxehur dhe shkaktuar tym.
Pas incidenteve, SWISS ka rikujtuar rregullat për pajisjet me bateri litiumi. Powerbank-at nuk lejohen në bagazhin e dorëzuar, ndërsa në bord nuk duhet të përdoren apo të karikohen. Çdo pasagjer mund të marrë me vete maksimumi dy të tilla.
The post Alarm mbi Atlantik: Avioni i SWISS për Boston detyrohet të aterrojë në Dublin appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



