Nga 7 mijë fjalë – Apeli ua lejon Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për ankesat

Dhoma e Apelit në Gjykatën Speciale në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për rritjen e kufirit të fjalëve në njoftimet e apelit kundër aktgjykimit të shkallës së parë.
Sipas vendimit të publikuar më 28 tetor, mbrojtja e katërshes do të mund të paraqesë deri në 7 mijë fjalë në njoftimet e Apelit, nga 3 mijë fjalë sa është kufiri i zakonshëm.
Mbrojtja kishte kërkuar që ky kufi të rritej në 9 mijë fjalë, duke argumentuar se kompleksiteti i rastit dhe përmasat e aktgjykimit kërkojnë më shumë hapësirë për paraqitjen e bazave të ankesës.
Në arsyetimin e vendimit, Dhoma e Apelit mori parasysh se aktgjykimi i shkallës së parë, i publikuar më 16 shtator 2026, përmban 2.089 faqe dhe është më i gjati i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gjyqtarët vlerësuan se kompleksiteti i çështjes kërkon hapësirë të mjaftueshme që mbrojtja t’i paraqesë në mënyrë të qartë pretendimet për gabimet e mundshme në aktgjykim.Megjithatë, kërkesa për 9 mijë fjalë u vlerësua si e tepruar. Sipas trupit gjykues, cilësia dhe efektiviteti i një ankese nuk varen domosdoshmërisht nga gjatësia e saj, por nga qartësia dhe argumentimi i pretendimeve.
Dhoma e Apelit sqaroi se njoftimet duhet të identifikojnë gabimet e pretenduara në aktgjykim dhe zgjidhjen që kërkohet, ndërsa argumentet e detajuara duhet të shtjellohen në parashtresat e apelit.
Afati për dorëzimin e njoftimeve të Apelit është caktuar më 27 nëntor.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



