Zbulohen shkeljet e dyshuara në rastin e Arlinda Zekajt, çfarë nuk u bë nga Policia?

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka evidentuar disa shkelje të dyshuara në trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës. Sipas gjetjeve preliminare, dyshohet se nuk është ekzekutuar një urdhër mbrojtës, një urdhër tjetër është zbatuar me gjashtë ditë vonesë, ndërsa një kërkesë e hetuesit policor për vlerësimin e rastit nuk është trajtuar nga zinxhiri komandues.
Sipas komunikatës së IPK-së, hetimet po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të shqyrtimit të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të Arlinda Zekajt.
Një nga gjetjet preliminare lidhet me urdhrin mbrojtës të datës 7 shtator 2026, për të cilin IPK-ja thotë se nuk dokumentohet ekzekutimi nga Policia e Kosovës, transmeton “Bota sot”.
Ndërkaq, urdhri i dytë mbrojtës, i datës 16 tetor 2026, është ekzekutuar më 22 tetor, pra gjashtë ditë pas nxjerrjes së tij. Sipas IPK-së, ekzekutimi ka ndodhur pas veprimeve zyrtare të Inspektoratit, i cili paraprakisht kishte pranuar një informatë nga vetë Arlinda Zekaj.
Një tjetër çështje shqetësuese është mosshqyrtimi nga zinxhiri komandues i një emaili të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga një hetues policor. Në këtë komunikim, hetuesi kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë.
Sipas IPK-së, hetuesi kishte vlerësuar se, gjatë kohës kur Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, duhej të organizoheshin vizita nga patrullat e uniformuara të policisë dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë.
IPK-ja ka evidentuar gjithashtu mangësi të dyshuara në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe zbatimin e vendimeve të gjykatës kompetente. Këto mangësi lidhen me zinxhirin komandues në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë, si dhe njësitë e hetimeve në nivel rajonal dhe në nivel stacioni.
Gjetjet preliminare të IPK-së rikthejnë vëmendjen te mënyra se si janë trajtuar raportimet e Arlinda Zekajt dhe te veprimet që janë ndërmarrë për vlerësimin e rrezikut me të cilin ajo përballej.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke respektuar ligjshmërinë, prezumimin e pafajësisë dhe integritetin e procesit hetimor.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



