Albinfo.ch, pesëmbëdhjetë vjet: fjala e një lexuesi

Pesëmbëdhjetë vjet janë një rast i mirë për t’u ndalur dhe për të thënë diçka që shpesh e marrim si të zakonshme.
Një medium nuk matet vetëm me lajmet që shkruan. Ai matet edhe me atë që do të thotë për njerëzit që e lexojnë. Si lexues i albinfo.ch prej vitesh, dua ta shpreh sot hapur mirënjohjen time.
Në vitin 2010, mërgatës shqiptare në Zvicër nuk i mungonin zërat. I mungonte një zë serioz, që të fliste për ne pa na nxirë dhe pa na zbukuruar, që të na mbante të lidhur me vendlindjen pa na mbyllur vetëm aty.
Albinfo.ch e plotësoi këtë mungesë. Ajo u bë njëkohësisht pasqyra e mërgatës, dritarja drejt Zvicrës apo diasporës, por edhe ura drejt atdheut.
Në punën time të përditshme si jurist, e shoh sa e rëndësishme është një informatë e saktë për familjet që kanë punë me lejet e qëndrimit, me pensionet, me sigurimet apo me zyrat e shtetit.
Një lajm i rremë në Facebook mund ta bëjë dikë të humbasë lejen, një afat apo një ndihmë që i takon.
Prandaj një medium që i kontrollon lajmet, që i shpjegon gjërat qartë dhe që nuk ndjek bujën, nuk është luks. Është një shërbim për të gjithë komunitetin.
Albinfo.ch ka bërë edhe diçka tjetër, më pak të zhurmshme: ka nxjerrë në dritë qindra njerëz tanë. Përveç futbollistëve që i njohin të gjithë, ka biznesmenë, shkencëtarë, artistë, politikanë dhe studentë.
Duke folur për ta, albinfo.ch u ka dhënë të rinjve shembuj të mirë dhe zviceranëve një pamje më të drejtë për shqiptarët që jetojnë këtu.
Edhe vetë kam botuar shkrime opinioni në këtë platformë. Aty kam gjetur vend për mendime të ndryshme, edhe kur ato nuk u pëlqejnë të gjithëve. Kjo liri nuk vjen vetvetiu. Ajo duhet mbrojtur çdo ditë, si nga presionet politike, ashtu edhe nga gara për klikime.
Duhet thënë edhe kjo: të mbijetosh pesëmbëdhjetë vjet me forcat e veta, të vazhdosh ta shtypësh revistën në letër kur gazetat po mbyllen njëra pas tjetrës, nuk është punë e vogël. Është besim në vlerën e informatës së mirë.
Por një medium serioz nuk mbahet vetëm me mundin e ekipit të vet. Ai mbahet sepse lexuesit e lexojnë, e përmendin, e shpërndajnë dhe, kur kanë mundësi, e përkrahin. Ky është detyrim edhe i yni.
Sot albinfo.ch po hyn në një fazë të re, përtej kufijve të Zvicrës. I uroj ta ruajë atë që e ka bërë të fortë: seriozitetin, pavarësinë dhe afërsinë me njerëzit. Pjesa tjetër e kësaj historie varet edhe prej nesh, lexuesve.
Gëzuar 15-vjetorin, albinfo.ch!
The post Albinfo.ch, pesëmbëdhjetë vjet: fjala e një lexuesi appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



