Aleanca dorëzon kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut për shpërdorim të detyrës

Aleanca dorëzon kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut për shpërdorim të detyrës

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut, duke e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë ushtrimit të detyrës si U.D. Presidente e Republikës së Kosovës.

Ramadani pretendon se Haxhiu ka nxjerrë Vendimin nr. 45/2026, përmes të cilit, sipas tij, i është mundësuar një personi të marrë pozitë publike pa iu nënshtruar procedurës së konkursit.

Sipas Ramadanit, bëhet fjalë për propozimin e Vlorës Spanca për një mandat të ri si Auditore e Përgjithshme, pa zhvillimin e një procedure të hapur konkurrimi dhe pa intervistim nga një komision i pavarur.

“Albulena Haxhiu në cilësinë e U.D. Presidentes ka nxjerrë Vendimin nr. 45/2026 për t’i mundësuar një personi pozitë publike pa konkurs, ani pse Ligji e përcakton shprehimisht se duhet të ketë proces të hapur dhe intervistim në komision të pavarur”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka thënë se vendimi është marrë më 2 shtator 2026 dhe më pas është proceduar në Kuvendin e Kosovës për t’iu nënshtruar procedurave parlamentare.

Ramadani pretendon se me këtë veprim janë shkelur dispozitat e Nenit 4, përkatësisht pikat 4.4, 4.5.2 dhe 4.9, të Ligjit nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Sipas tij, Haxhiu, në cilësinë e U.D. Presidentes, ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për t’i mundësuar një personi tjetër përfitim të kundërligjshëm dhe nuk është siguruar nëse kandidatja e propozuar i përmbush kriteret e përcaktuara me ligj.

“Ligji është mbi të gjithë! Askush nuk duhet të keqpërdorë pozitën zyrtare”, ka deklaruar Ramadani.

The post Aleanca dorëzon kallëzim penal ndaj Albulena Haxhiut për shpërdorim të detyrës appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.