“A duhet të më vrasë mua Jetoni?” Deklarata tronditëse e Arlinda Zekajt në Polici, pak orë para se të vritej

Pak orë para se të vritej në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekaj kishte shprehur hapur frikën për jetën e saj para Policisë.
“A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?”, kishte pyetur ajo gjatë intervistimit.
Deklarata e saj, e publikuar nga Kallxo, përmban hollësi për kërcënimet që thoshte t’i ketë marrë nga ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj.
Si nisi gjithçka?
Më 25 tetor, rreth orës 17:58, Arlinda tregonte se kishte pritur përfundimin e larjes së rrobave të familjarëve të Jetonit.
Pasi kishte futur rrobat e veta në lavatriçe, ajo kishte shkuar në kuzhinë për të ngrënë. Aty, sipas saj, nisën kërcënimet.
“Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time? Ti nuk guxon më kështu të veprosh, kush je ti?”
Këto ishin fjalët që Arlinda pretendonte se ia kishte thënë ish-bashkëshorti, përpara se t’ia hidhte rrobat në oborr.
“Unë menjëherë, nga frika, e kam thirrur Policinë”, deklaronte ajo.
Por pjesa më shqetësuese e dëshmisë vjen në fund, kur zyrtarët policorë e pyesin nëse pranonte të shkonte në strehimore.
“Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time”, ishte përgjigjur ajo.
Policia më pas e pyeti nëse ndihej e sigurt të kthehej, duke qenë se në banesë ndodheshin familjarët e Jetonit.
“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime.”
“Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, shtonte ajo.
Pra, Arlinda e kishte pranuar shprehimisht se nuk ndihej mjaftueshëm e sigurt. Megjithatë, nuk pranonte të hiqte dorë nga shtëpia dhe djali.
Pas intervistimit, ish-bashkëshorti ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, ndërsa ajo ishte shoqëruar nga Policia drejt banesës.
Sipas Prokurorisë së Pejës, kthimi ndodhi rreth orës 21:00. Vetëm pak minuta më vonë, Arlinda u gjet pa shenja jete.
Autoritetet dyshojnë se ajo u godit me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i shpallur në kërkim.
Por paralajmërimet e Arlindës nuk kishin filluar atë ditë.
Më 22 tetor, tri ditë para vrasjes, ajo kishte dorëzuar në Prokurorinë e Pejës një letër urgjente.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”
Prokuroria deklaroi se kishte kërkuar veprime nga institucionet përkatëse dhe se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit për kanosje.
Madje, sipas Prokurorisë, më 22 tetor ishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund të rrezikonte sigurinë e saj.
Tri ditë më vonë, Arlinda u kthye në atë banesë, pasi kishte deklaruar sërish se nuk ndihej mjaftueshëm e sigurt.
Hetimet duhet të sqarojnë pse kthimi u lejua në këto rrethana dhe nëse institucionet përmbushën detyrimet për mbrojtjen e saj.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



