ANALIZA/ Pse bota nuk po përjeton një periudhë të migrimit masiv?
Profesori i Universitetit të Amsterdamit, sociologu dhe gjeografi i njohur holandez, Hein de Haas, gjithashtu një nga themeluesit e Institutit Ndërkombëtar të Migracionit (IMI) në Oksford, i bën një analizë të hollësishme mitit të migracionit global. Në librin e tij “Si funksionon realisht migrimi”, Haas konsideron se nuk jetojmë në një epokë të migracionit masiv. [...]Read More...

Profesori i Universitetit të Amsterdamit, sociologu dhe gjeografi i njohur holandez, Hein de Haas, gjithashtu një nga themeluesit e Institutit Ndërkombëtar të Migracionit (IMI) në Oksford, i bën një analizë të hollësishme mitit të migracionit global.
Në librin e tij “Si funksionon realisht migrimi”, Haas konsideron se nuk jetojmë në një epokë të migracionit masiv.
Ndoshta miti më i përhapur është se ne po jetojmë në një periudhë “emigrimesh masive” të cilat në thelb janë shkaktuar nga varfëria, dhuna dhe “mjerimi njerëzor”. Dhe se këto migrime kanë arritur një shkallë të tillë që kërcënojnë punësimin, shërbimet sociale, sigurinë dhe identitetin e shoqërive tona.
Në realitet, shkalla e këtyre lëvizjeve është më e vogël nga sa mendojmë: migrantët përfaqësojnë rreth 3,4% të popullsisë së botës dhe kjo përqindje nuk ka ndryshuar shumë për dekada.
Refugjatët përbëjnë rreth 10% të të gjithë migrantëve ndërkombëtarë ose 0,35% të popullsisë së botës, dhe përtej luhatjeve afatshkurtra, kjo përqindje është relativisht e qëndrueshme.
Megjithatë, politikanët shpesh ekstrapolojnë rritje afatshkurtër në ardhjet e refugjatëve dhe emigrantëve, duke sugjeruar se ato paraqesin një pushtim të ardhshëm.
Shkaku kryesor i imigrimit nuk është as varfëria dhe as dhuna në vendet e origjinës.
Përkundrazi, rritet ndërsa vendet e varfra bëhen më të pasura, sepse migrimi është i kushtueshëm dhe kërkon ambicie.
Në realitet, shkaku kryesor i migrimit është mungesa e fuqisë punëtore në vendet e destinacionit.
Emigracioni është më pak “i detyruar” dhe më “i zgjedhur” nga sa pretendojnë shumë politikanë.
Për politikanët që i përhapin dhe i riciklojnë, emigracioni shërben si një arsye ideale për pakënaqësinë e shprehur nga shoqëritë (pabarazitë në rritje, pasiguria në punë, mungesa e banesave të përballueshme, erozioni i shërbimeve publike e tjerë).
Në realitet, këto probleme janë shkaktuar kryesisht nga politikat ekonomike “neoliberale”, të cilat, për shembull, kanë ulur taksat për të pasurit, kanë ulur mbrojtjen për punëtorët, kanë gërryer shërbimet publike, kanë lënë pas dore banesat sociale.
Funksioni i dytë politik i “mitit të pushtimit” është të mundësojë mobilizimin e frikës dhe urrejtjes ndaj grupeve të caktuara të emigrantëve dhe pakicave.
Duke e paraqitur imigracionin si një kërcënim themelor, diskurset ksenofobike shfrytëzojnë frikën tonë më të thellë dhe lejojnë disa politikanë të paraqiten si mbrojtës të popullit të tyre kundër armikut të huaj.
Në terma afatshkurtër, ne vërejmë luhatje në korrelacion të fortë me ciklet ekonomike.
Pas krizës financiare të vitit 2008, migrimi drejt Evropës ra për disa vite.
Në të kundërt, pas krizës së Covid-19, mungesa e paprecedentë e fuqisë punëtore ka shkaktuar një rritje të emigracionit legal dhe të paligjshëm, si në Amerikën e Veriut ashtu edhe në Evropën Perëndimore.
Flukset e refugjatëve janë shumë të parregullta, me kulme të përkohshme në rast të luftërave afër Evropës Perëndimore, si në Siri pas 2005 dhe në Ukrainë që nga viti 2022.
Por, në terma afatgjatë këto lëvizje të refugjatëve janë më pak masive sesa mendojmë.
Në Evropë, është qartësisht imigracioni i lidhur me punën që ka shfaqur një prirje rritëse që nga viti 2000.
Plakja e popullsisë së kombinuar me rritjen e nivelit të arsimimit ka çuar në një rritje të vendeve të punës “të pasigurta” që punëtorët e Evropës Perëndimore nuk i duan më ose nuk mund t’i zënë më, në sektorë të tillë si bujqësia, ndërtimi, hotelet, restorantet dhe pastrimi.
Për shembull, Franca ka emigracion relativisht të ulët në krahasim me vendet e tjera.
Emigrantët përfaqësojnë rreth 10% të popullsisë franceze, krahasuar me 15 deri në 20% në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore.
Në nivel lokal, imigrimi sigurisht që mund të krijojë probleme dhe ndjenja të tjetërsimit midis banorëve të një vendi, veçanërisht nëse qeveritë nuk trajtojnë problemet e segregacionit në disa periferi, të cilat mund të kthehen në kurthe të varfërisë.
Këto probleme nuk duhen mohuar, por deklarata të tilla demagogjike vetëm sa nxisin histerinë masive dhe normalizojnë diskursin toksik.