Avokati Bajraktari: Kurti mund të burgoset deri në një muaj për refuzimin e dëshmisë

Avokati Ardian Bajraktari për “Front Online” ka folur lidhur me refuzimin e Kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur para Prokurorisë, pas ftesave të dërguara nga kjo e fundit. Ai thotë se, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast se një dëshmitar nuk paraqitet pas thirrjes, dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen, gjyqtari i procedurës paraprake ka

Avokati Bajraktari: Kurti mund të burgoset deri në një muaj për refuzimin e dëshmisë


Avokati Ardian Bajraktari për “Front Online” ka folur lidhur me refuzimin e Kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur para Prokurorisë, pas ftesave të dërguara nga kjo e fundit.

Ai thotë se, sipas Kodit të Procedurës Penale, në rast se një dëshmitar nuk paraqitet pas thirrjes, dhe nuk e arsyeton mosparaqitjen, gjyqtari i procedurës paraprake ka të drejtë ta detyrojë të paraqitet.

Ky veprim tashmë është ndërmarrë nga Gjykata.

“Sipas Kodit të Procedurës Penale, dëshmitari i cili është thirrur me rregull nëse nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet, veprim ky i cili tashmë është ndërmarrë nga ana e gjykatës”, shprehet Bajraktari.

Bajraktari shtoi se, nëse Kryeministri nuk paraqitet, ai mund të dënohet me gjobë deri në 250 euro për çdo herë që nuk paraqitet.

“Pasi që gjykata ka urdhëruar Kryeministrin të paraqitet në Prokurori, nëse i njëjti nuk paraqitet, atëherë gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet”.

Po ashtu, sipas tij ai mund të burgoset deri në një muaj nëse vazhdon të refuzojë të dëshmojë.

“Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset. Burgimi zgjatë derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj”, shprehet avokati.

Ai theksoi se një veprim i tillë është i papranueshëm jo vetëm për qytetarët, por edhe për kreun e ekzekutivit.

Gjithashtu, ai sugjeroi që Prokurori i Shtetit të udhëzojë policinë për të realizuar procedurat e nevojshme.

“Një qasje e tillë mos përfillëse ndaj institucioneve të drejtësisë është e papranueshme nga kushdo qoftë, e aq me pak nga Kryeministri i vendit. Ndoshta do të ishte mirë që të shikohet mundësia që Prokurori i shtetit ta udhëzojë policinë që të kryej këtë veprim procedural, përkatësisht ta zbatojë marrjen në pyetje, në pajtim me nenin 118 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ai.