VLEN: FMN-ja dhe Banka Botërore rrisin parashikimet, ekonomia në rrugë të mbarë

Ekonomia po ecën mbarë. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dy nga institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, thonë nga VLEN.
“Që të dyja këto institucione e kanë rritur parashikimin për rritjen ekonomike të vendit për këtë vit. FMN-ja nga 3,1 në 3,5 për qind, ndërsa Banka Botërore nga 2,9 në 3,2 për qind.
Shkurt e shqip, të dyja këto institucione presin që ekonomia jonë të ecë më mirë sesa parashikonin më parë. Këto vlerësime na japin edhe më shumë shtytje për të punuar. Sidomos në ekonomi, ku kemi marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë dikaster.Banka Botërore i veçon investimet në infrastrukturë si një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Sot kemi ekspansion infrastrukturor në vend.
Autostrada Shkup–Bllacë është pritur me dekada. Përfundimi i saj tashmë nuk vihet në diskutim. Si VLEN, kësaj pune do t’i vëmë PIKË. Kjo lidhje me Kosovën ka rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët, tregtinë dhe kompanitë tona.
Në Koridorin 8, që për ne është projekt strategjik, kemi segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Kërçovë–Ohër. Më 12 tetor vumë gurthemelin edhe për Bukojçan–Kërçovën.
Autostrada Bukojçan–Kërçova plotëson hallkën e rëndësishme të lidhjes së Pollogut me Kërçovën dhe Ohrin, në korridorin që na lidh me Shqipërinë dhe portet e Adriatikut.
Këto projekte duhen parë bashkë. Ato forcojnë lidhjet me rajonin dhe hapin mundësi të reja për ekonominë tonë.Për një biznes, çdo orë e humbur në rrugë është shpenzim. Transporti më i shpejtë ul kostot, lehtëson furnizimin dhe daljen në tregje të reja. Kjo krijon kushte që kompanitë të zgjerojnë prodhimin dhe të hapin vende pune.
Prandaj përfundimi i këtyre rrugëve mbetet një nga angazhimet tona kryesore në qeveri. Krahas investimeve, rëndësi për qytetarin kanë edhe shpenzimet e përditshme. Edhe këtu kemi një dallim shumë të qartë.Në maj të vitit 2024, me qeverisjen e kaluar, inflacioni ishte 4,5 për qind. Në shtator të këtij viti, me ne në qeveri ishte 2,7 për qind. Pra, dallimi është si dita me natën”, thonë nga VLEN.Nga atje thonë se lidhur me karburantet, jemi ndër vendet me çmimet më të ulëta në rajon. Benzina dhe dizeli te ne janë më të lirë se në Kroaci, Slloveni, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Greqi.
“Vetëm për krahasim, benzina 95 te ne kushton 98,5 denarë për litër, ndërsa mesatarja në këto vende është rreth 115 denarë. Pra, një dallim prej rreth 16 denarësh për çdo litër. Kjo ua ul shpenzimet qytetarëve, bujqve dhe bizneseve”, thonë nga VLEN.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



