Banorët e Prattelnit kundërshtojnë ndërtimin e një qendre azili për 150 persona

Banorët e lagjes Längi, në komunën Pratteln të Zvicrës, po kundërshtojnë hapjen e një qendre pritëse për azilkërkues, e cila planifikohet të nisë punën në vitin 2027 dhe të strehojë 150 persona.
Banorët shprehin shqetësime për sigurinë dhe ruajtjen e qetësisë në lagje, e cila në të kaluarën ishte përballur me probleme sociale, përfshirë mbeturinat në rrugë dhe grupet e të rinjve. Pas investimeve të autoriteteve lokale dhe federale që nga viti 2008, lagjja ka arritur të përmirësojë ndjeshëm imazhin dhe kushtet e jetesës.
Kryetari i shoqatës së lagjes, Philippe Schuler, thotë se disa banorë tashmë kanë shitur pronat e tyre, ndërsa të tjerë po shqyrtojnë mundësinë e largimit. Ai thekson se nuk kërkon anulimin e projektit, por zhvendosjen e tij në një lokacion tjetër, që sipas tij do të ishte më i përshtatshëm.
Ndërkohë, kryetari i qytetit Laufen, Pascal Bolliger, ku funksionon një qendër e ngjashme me rreth 200 persona, thotë se përvoja atje ka qenë pozitive dhe pa probleme të mëdha. Ai vlerëson se komunikimi i hapur me banorët dhe mundësia për të raportuar shqetësimet janë thelbësore për funksionimin e qendrave të tilla.
Autoritetet kantonale sigurojnë se në qendër do të ketë staf të trajnuar gjatë 24 orëve. Pavarësisht kundërshtimeve, projekti në Pratteln mbetet i planifikuar për vitin 2027.
The post Banorët e Prattelnit kundërshtojnë ndërtimin e një qendre azili për 150 persona appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



