BE-ja nis diskutimet për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës
Në Ditën e Evropës, të cilën Kosova e feston si festë zyrtare kombëtare, ajo vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që prej dy vjetësh ndodhet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE). Megjithatë, gazeta KOHA shkruan se ka mësuar se brenda institucioneve të BE-së ka nisur puna për heqjen graduale të këtyre […] The post BE-ja nis diskutimet për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës appeared first on Albinfo.

Në Ditën e Evropës, të cilën Kosova e feston si festë zyrtare kombëtare, ajo vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që prej dy vjetësh ndodhet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE). Megjithatë, gazeta KOHA shkruan se ka mësuar se brenda institucioneve të BE-së ka nisur puna për heqjen graduale të këtyre masave, ndonëse procesi po zhvillohet me shumë paqartësi dhe mungesë transparence, transmeton albinfo.ch.
Burime të këtij mediumi në Bashkimin Evropian kanë konfirmuar se pas debatit të fundit mes ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, Shërbimi i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe Komisioni Evropian kanë nisur përgatitjet për heqjen e pjesshme, të kushtëzuar dhe të kthyeshme të masave ndaj Kosovës.
Sipas burimeve diplomatike, EEAS-i është më i zëshëm në shtyrjen përpara të këtij procesi, ndërsa Komisioni Evropian mbetet më hezitues, duke përmendur si arsye kundërshtimin e disa shteteve anëtare, përfshirë Francën, Italinë, Hungarinë dhe Sllovakinë. Vendosja e masave ndodhi brenda pak ditësh në vitin 2023, ndërsa për heqjen e tyre po diskutohet prej muajsh pa ndonjë vendim konkret, transmeton albinfo.ch.
Burimet në BE kanë bërë të ditur se hapi i parë i kësaj heqjeje graduale do të jetë lejimi i Kosovës të marrë pjesë në takimet e nënkomisioneve për Kosovën, si dhe në ato që kanë të bëjnë me asistencën teknike nga Fondi i investimeve për Ballkanin Perëndimor. Këto lëvizje do të jenë simbolike dhe ende nuk janë implementuar.
Disa zyrtarë të BE-së kanë shprehur shqetësime se “as Kosova nuk po ndihmon që t’i ndihmohet”, duke theksuar se autoritetet në Prishtinë nuk kanë bërë hapat e nevojshëm për shtensionimin e situatës në veri. Në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i BE-së kishte përcaktuar se heqja e masave do të varet nga përparimi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Përballë kësaj situate, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje sërish Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Në një reagim të publikuar të enjten në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se është koha që BE-ja t’i japë fund “politikave ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian në rajon” dhe të trajtojë seriozisht politikat destabilizuese të Serbisë, transmeton albinfo.ch.
Osmani ka përmendur gjithashtu vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë, ku është takuar me presidentin rus Vladimir Putin për të shënuar Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore. Kjo vizitë është pritur me keqardhje në Bruksel, ku është cilësuar si pjesë e propagandës së Kremlinit.
Kosova vazhdon të jetë e vetmja në rajon që nuk ka marrë ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në anën tjetër, Serbia është në proces negociatash që nga viti 2014, ndonëse nuk ka hapur asnjë kapitull të ri që nga dhjetori i vitit 2021, për shkak të refuzimit për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së.
Masat ndaj Kosovës u vendosën në vitin 2023 si reagim ndaj përshkallëzimit të tensioneve në veri. Ato përfshijnë pezullimin e pjesëmarrjes në takime të nivelit të lartë dhe kufizimin e përfitimit nga programet e BE-së. BE-ja ka mbajtur qëndrimin se heqja e tyre varet nga veprimet e Kosovës në terren, ndërsa vendimi për Serbinë, pas sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2024, nuk është marrë kurrë në konsideratë – një qasje që shumë shtete të BE-së e konsiderojnë të pabalancuar, transmeton albinfo.ch.
The post BE-ja nis diskutimet për heqjen graduale të masave ndaj Kosovës appeared first on Albinfo.