Cilët janë skenarët e Trumpit për të bindur Putinin për armëpushim në Ukrainë?

Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të kos e pranojë që përfunrimisht të vendoset armëpushim në Ukrainë, pasi kjo e fundit ka treguar gatishmërinë për të ecur para me planin amerikan. Ndërkohë rel ka publikuar 3 skenarë se si mund të zhvillohet situata, transmeton albinfo.ch. Sanksione Trump ka thënë se mund të marrë veprime financiare “që […] The post Cilët janë skenarët e Trumpit për të bindur Putinin për armëpushim në Ukrainë? appeared first on Albinfo.

Cilët janë skenarët e Trumpit për të bindur Putinin për armëpushim në Ukrainë?

Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të kos e pranojë që përfunrimisht të vendoset armëpushim në Ukrainë, pasi kjo e fundit ka treguar gatishmërinë për të ecur para me planin amerikan.

Ndërkohë rel ka publikuar 3 skenarë se si mund të zhvillohet situata, transmeton albinfo.ch.

Sanksione

Trump ka thënë se mund të marrë veprime financiare “që do të ishin shumë të rënda për Rusinë”.

Kjo fjali ka sinjalizuar sanksione shtesë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent dhe Kevin Hackett, udhëheqës i Këshillit Ekonomik Kombëtar, u kanë dhënë jehonë deklaratave të Trumpit, mirëpo nuk kanë ofruar hollësi se si mund të duken sanksionet shtesë.

Hackett ka folur së fundmi për strategjinë e “shkopit dhe karotës”.

Më 13 mars, administrata nuk e ka miratuar vazhdimin e një mase lehtësuese për sanksionet në disa banka ruse që ndërmjetësojnë pagesa për naftë dhe gaz.

Kjo ua vështirëson shteteve tjera blerjen e këtyre lëndëve. Rikthimi i masës lehtësuese mund të jetë karotë, dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përmendur mundësinë e heqjes së disa sanksioneve, nëse Moska ulet në tavolinën e negociatave.

Putin ka dhënë sinjale se dëshiron karota më të mëdha, sikurse çmilitarizimi i Ukrainës dhe që Kievi të mos furnizohet më me armë amerikane.

Sa u përket shkopinjve, Hacket ka thënë se ende janë “një mori gjërash” që mund të bëhen, por nuk ka përmendur diçka specifike.

Njëra mundësi që është diskutuar parasheh vendosjen e sanksioneve sekondare në shtetet e treta që blejnë naftën ruse përtej çmimit tavan prej 60 dollarëve për fuçi, siç është përcaktuar nga Perëndimi. Aktualisht një fuçi naftë po tregtohet rreth 70 dollarë.

Konsumatorët më të mëdhenj janë Kina, India dhe Turqia.

Një tjetër ide është që të zvogëlohet çmimi tavan për t’i goditur të hyrat ruse. Diçka kësisoj kërkon koordinim me aleatët perëndimorë.

Rusia e ka shfrytëzuar një “flotë në hije” të cisternave të vjetra të naftës për t’iu ikur sanksioneve ekzistuese. Kjo mund të rezultojë me sanksione më të ashpra, duke shtuar më shumë anije në listën e sanksioneve.

Situata i ngjan goxha lojës së miut me macen. Anijet shpesh kalojnë nëpër shumë duar pronarësh. Verifikimi kërkon përpjekje dhe burime të konsiderueshme.

Një tjetër skenar parasheh vendosjen e ndalesës në importet e produkteve që kanë për bazë naftën e parafinuar ruse nëpër shtetet e treta.

Masa si këto do ta shtrëngonin vidën në ekonominë ruse.

Mirëpo, ato nuk do të zgjidhnin problemin dhe nuk do të kishin efektin e shpejtë sikurse ndalesa që vendosi Uashingtoni për dërgimin e armëve në Ukrainë, derisa kjo e fundit nuk u pajtua për një marrëveshje armëpushimi.

Tarifa

Në mosmarrëveshjet tjera ndërkombëtare, arma më e përdorur e Trumpit janë tarifat, të cilat mundet t’i vendosë edhe ndaj Rusisë. Megjithatë, efekti do të ishte i kufizuar.

 

Vendosja e tarifave nga ana e Trumpit është parë me shqetësim të madh në vendet si Kina, Kanadaja dhe vendet e Bashkimit Evropian. Mirëpo këta janë partnerë të mëdhenj tregtarë të SHBA-së që mund të humbin shumë.

Për dallim prej tyre, Rusia nuk shet pothuajse asgjë në SHBA.

“Eksportet ruse në SHBA kanë rënë më shumë se 80 për qind vitin e kaluar, në krahasim me nivelet para luftës, në rreth 3 miliardë dollarë, shkalla më e ulët prej vitit 1992”, ka thënë Alexander Kolyandr, në një artikull të publikuar së fundmi në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane.

Për dallim prej SHBA-së, eksportet ruse në Kinë më 2024 e kanë arritur në atë shifër brenda 10 ditësh.

Një masë jotarifore që është sugjeruar nga Trumpi në janar ka qenë që Arabia Saudite të ulë çmimin e naftës duke rritur prodhimin. Megjithatë, kjo nuk ka qenë në linjë me interesat saudite.

Armët

I dërguari i posaçëm i Trumpit për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, e ka përmendur edhe një skenar të tretë se si Uashigtoni mund të ndëshkojë Rusinë.

Në qershor të vitit të kaluar, ai e ka prezantuar një plan për t’i ulur shpejt dy palët në tavolinën e negociatave.

“Ne u themi ukrainasve, ‘duhet të uleni në tavolinë’ dhe nëse nuk uleni, atëherë mbështetja e SHBA-së për ju merr fund”, ka thënë ai.

“Dhe i themi Putinit, nëse nuk uleni, ne do t’iu japim gjithçka ukrainasve për t’ju vrarë në fushëbetejë”.

Deri më tani e kemi parë vetëm pjesë e parë të këtij skenari. Ka qenë e lehtë dhe e shpejtë për t’u arritur. Ka qenë edhe hap i lirë, sepse mbajtja e ndihmës ushtarake është më e lirë sesa shpërndarja e saj.

 

 

The post Cilët janë skenarët e Trumpit për të bindur Putinin për armëpushim në Ukrainë? appeared first on Albinfo.