CNN: SHBA synon mbylljen e afro 30 ambasadave dhe konsullatave

Administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton plane për të mbyllur gati 30 ambasada dhe konsullata amerikane në mbarë botën, si pjesë e një përpjekjeje për të zvogëluar praninë e qeverisë federale jashtë shtetit, sipas një lajmi të publikuar nga CNN. ”Një dokument i brendshëm i Departamentit të Shtetit, i cili përshkruan rekomandimet e nënsekretarit [...]Read More...

CNN: SHBA synon mbylljen e afro 30 ambasadave dhe konsullatave

Administrata e presidentit Donald Trump po shqyrton plane për të mbyllur gati 30 ambasada dhe konsullata amerikane në mbarë botën, si pjesë e një përpjekjeje për të zvogëluar praninë e qeverisë federale jashtë shtetit, sipas një lajmi të publikuar nga CNN.

”Një dokument i brendshëm i Departamentit të Shtetit, i cili përshkruan rekomandimet e nënsekretarit të tij për menaxhimin, propozon mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave, shumica prej tyre në Evropë dhe Afrikë”, raportoi CNN.

Objektet diplomatike të përcaktuara për mbyllje përfshijnë ambasadat në Maltë, Luksemburg, Lesoto, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut, si dhe konsullatat në Francë, Gjermani, Bosnjë-Hercegovinë, Mbretërinë e Bashkuar, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut.

Mbetet e paqartë nëse sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka miratuar ndryshimet e propozuara.

Thuhet se mbylljet do të kompensohen duke transferuar përgjegjësitë në misionet e afërta.

Dokumenti i brendshëm rekomandon reduktimin e pranisë diplomatike të SHBA-së në Irak dhe Somali, së bashku me “ridimensionimin” e misioneve të tjera.

Sugjerimet përfshijnë krijimin e “posteve të lehta të stilit FLEX” me staf dhe përgjegjësi të kufizuara dhe konsolidimin e mbështetjes konsullore në njësi të specializuara në misione më të mëdha në vende si Japonia dhe Kanadaja.

E pyetur për mbylljet e mundshme, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce nuk pranoi të konfirmojë vërtetësinë e dokumentit ose të japë specifika.

“Unë do t’ju sugjeroja që të ndiqni Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin e SHBA-së ndërsa ata vazhdojnë të punojnë për planin e tyre buxhetor”, u tha Bruce gazetarëve gjatë një konference të përditshme për media.