ConfimpreseItalia interesim për Ballkanin Perëndimor: Takime në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë për investime dhe partneritete ekonomike

Delegacioni i nivelit të lartë i organizatës së njohur të biznesit italian, ConfimpreseItalia, i kryesuar nga Presidenti Guido D’Amico dhe Presidenti i ConfimpreseItalia për Provincën e Venedikut, sipërmarrësi Muharrem Salihu, ka përmbyllur një turne zyrtar dhe intensiv takimesh në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri. Kjo vizitë kishte në qendër forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve direkte italiane dhe kalimin nga deklaratat politike te rezultatet konkrete për bizneset e rajonit.
Turneu ekonomik i ConfimpreseItalia nisi në Shkup, ku delegacioni u prit nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), të udhëhequr nga Kryetari Nuhi Aliu. Bisedimet u përqendruan në krijimin e lidhjeve direkte mes ndërmarrjeve italiane dhe atyre vendore, me fokus të veçantë te sektorët me potencial të lartë zhvillimi si prodhimi, tregtia, turizmi, ndërtimi, bujqësia, energjia, teknologjia dhe mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Palët ranë dakord për organizimin e takimeve direkte B2B (business-to-business), shkëmbimin e ekspertizës dhe përfshirjen e kompanive anëtare në projekte të përbashkëta rajonale. Gjatë këtij takimi u vlerësua gjithashtu kontributi i rëndësishëm i Mendi Qyrës, aktualisht Kryetar i Komunës së Strugës, për rolin dhe angazhimin e tij të mëparshëm në fuqizimin e OEMVP-së si një zë përfaqësues i komunitetit të biznesit.
Pas Maqedonisë së Veriut, delegacioni e vijoi misionin në Prishtinë për një seri takimesh intensive dhe konstruktive me tre nga përfaqësitë kryesore të biznesit në Kosovë: Skënder Krasniqin nga Dhoma e Tregtisë së Kosovës, Lulzim Rafunën nga Oda Ekonomike e Kosovës, si dhe Bekim Kastratin nga Dhoma e Tregtisë Kosovë–Angli. Në qendër të diskutimeve në Prishtinë ishin forcimi i bashkëpunimit tregtar, nxitja e investimeve dypalëshe dhe krijimi i partneriteteve afatgjata. Vizita në Kosovë përcolli mesazhin se Italia e sheh gjithnjë e më shumë Ballkanin Perëndimor si një hapësirë strategjike evropiane, ku prania ekonomike shërben si instrumenti më i fuqishëm për të afruar vendet dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi.
Turi u përmbyll në Tiranë, ku drejtuesit e ConfimpreseItalia u pritën nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Diskutimet u fokusuan në konkretizimin e partneriteteve dhe krijimin e një platforme të qëndrueshme për shkëmbimin e praktikave më të mira të biznesit. Në Tiranë, ConfimpreseItalia prezantoi gjithashtu modelin e saj inovativ të vetëpunësimit dhe mbështetjes së sipërmarrjes, i ndërtuar mbi partneritetin pesë-dimensional mes fondit të garancisë (shtetëror apo evropian), bankave partnere, planit të biznesit, asistencës e formimit profesional nga ConfimpreseItalia, si dhe vetë aplikantit (start-up apo biznes ekzistues) — një formulë që synon lehtësimin e aksesit në financim për të gjithë rajonin.
Përveç takimeve me krerët e odave ekonomike, përgjatë gjithë vizitës në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, delegacioni zhvilloi takime të veçanta edhe me zyrtarë të lartë shtetërorë të të tria vendeve, ndër të cilët takimi me kryetarin Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Në këto tryeza u diskutuan tematikat e bashkëpunimit ndërshtetëror, krijimi i lehtësirave ligjore e administrative për investitorët e huaj, si dhe harmonizimi i politikave ekonomike rajonale me ato të Bashkimit Evropian.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



