Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë

Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre? Nga Departamenti […] The post Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë appeared first on Albinfo.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë

Për më shumë se 25 vjet, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ofron siguri. Por, në kohën kur zyrtarët amerikanë sinjalizojnë zvogëlimin e mundshëm të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, lindin edhe pyetjet: a do të mbeteshin ushtarët amerikanë në KFOR, apo do të kërkonte administrata Trump favore në këmbim të tyre?

Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thonë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Por, me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe me ndryshimin e prioriteteve globale, Kosova duhet të përgatitet për çdo skenar, thonë ish-zyrtarë të NATO-s.

“Secili ushtar i KFOR-it e kupton plotësisht dhe qartë detyrën e tij për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi më 25 qershor të 1999-ëskomandanti i atëhershëm i misionit paqeruajtës të NATO-s, Mike Jackson.

Kjo forcë nisi të dislokohej në Kosovë atë muaj, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila detyroi tërheqjen e plotë të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova.

Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur me kalimin e viteve në rreth 4.600.

Më shumë se 25 vjet më vonë, misioni i saj mbetet i njëjtë: “ruajtja e një mjedisi të sigurt për të gjithë”, por e ardhmja e forcës disi e diskutueshme.

Një zyrtar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.

Por, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “është transaksional” dhe se mund të kërkojë nga Kosova favore në këmbim të mbajtjes së trupave.

“Ndaj, jini të përgatitur”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, vlerëson se vendi, aktualisht, nuk është në gjendje të vetëmbrohet.

Si lindën pikëpyetjet për trupat amerikane në Evropë?

Ishte fillimisht sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili porositi Evropën se duhet të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Gjatë një vizite në Varshavë, muajin e kaluar, Hegseth tha se e ardhmja e saj do të varet nga kërcënimet globale dhe prioritetet strategjike amerikane.

“Kjo është arsyeja përse mesazhi ynë është kaq i ashpër për aleatët tanë evropianë. Tani është koha për të investuar, sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai më 14 shkurt.

Sipas një dokumenti që siguroi gazeta amerikane The Washington Post, Hegseth urdhëroi, gjithashtu, udhëheqësit e Pentagonit dhe të ushtrisë amerikane që të bëjnë plane për shkurtimin e buxhetit të mbrojtjes për 8 për qind, në secilin prej pesë vjetëve të ardhshëm.

Këtij debati, një element tjetër ia shtoi edhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

Ai i kritikoi udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e lidhi me politikëbërjen në kontinent.

Duke folur në Konferencën e Veprimit Politik Konservator më 20 shkurt, Vance tha se amerikanët nuk do të mbështesin mbajtjen e trupave në Gjermani, nëse njerëzit atje mund të burgosen për postime fyese në mediat sociale.

“E gjithë mbrojtja e Gjermanisë subvencionohet nga taksapaguesit amerikanë”, tha ai.

Situata shkaktoi jo pak ankth në mesin e aleatëve këndej Atlantikut.

Njeriu që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se synim i tij do të jetë arritja e pavarësisë nga SHBA-ja në aspektin e sigurisë.

“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Trump, edhe gjatë mandatit të parë si president, u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë që t’i rrisin ndjeshëm kontributet e tyre financiare në mbrojtje.

I pyetur gjatë një konference me gazetarë, më 18 shkurt, se a do të ishte i gatshëm të konsideronte tërheqjen e të gjitha trupave amerikane nga Evropa, në kuadër të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, Trump tha:

“Askush nuk më ka kërkuar ta bëj këtë. Nuk mendoj se duhet ta bëjmë. Nuk do të doja ta bëja”.

Prania e trupave amerikane në Evropë

Shtetet e Bashkuara kanë disa baza operative dhe ushtarake në Evropë.

Numri më i madh i ushtarëve amerikanë – mbi 35.000 – është i dislokuar në Gjermani.

Ky vend, njëherësh, ka edhe bazën më të madhe ajrore amerikane – Ramstein – ku janë të vendosur mbi 16.000 ushtarakë, civilë e kontraktorë.

The post Departamenti amerikan i Mbrojtjes: Nuk ka ndryshime të planifikuara për trupat në Kosovë appeared first on Albinfo.