Dërguti: Sot u pa që Kurti s’i ka votat për qeveri
Seanca e sotme e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, përfundoi pa u arritur qëllimi për të cilin edhe u thirr. Kjo për faktin se deputetët e partive që deri më tani ishin në opozitë, PDK, LDK e AAK, nuk e votuan raportin për verifikimin e mandateve të

Seanca e sotme e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës, përfundoi pa u arritur qëllimi për të cilin edhe u thirr.
Kjo për faktin se deputetët e partive që deri më tani ishin në opozitë, PDK, LDK e AAK, nuk e votuan raportin për verifikimin e mandateve të reja të Kuvendit.
E opinionistja Aida Dërguti tha se kjo seancë tregoi se Albin Kurti nuk i ka numrat për formimin e qeverisë së re.
“Seanca e sotme shpërfaqi dy gjëra: defektin në ligjin për Qeverinë dhe mungesën e numrave të atij që ka dalë i pari. Pra, i pamë vetëm 52 deputetë të votojnë pro…tash e dy muaj janë kryer zgjedhjet dhe besoj që kjo periudhë do të shërbente si periudhë e negocimit. Sot u pa që nuk i ka 61, por i pati 52”, deklaroi Dërguti.
Për më tepër, koalicioni mes LVV-së, Alternativës dhe Guxo-s, Dërguti tha se i njëjti është plotësuar tashmë edhe me Nismën, duke e quajtur me shkurtesën VANG.
“Ka disa ditë që u komentua se a ka pasur takime, a ka pasur marrëveshje, ishin këto takime apo koalicione të natës, të territ, dhe sot u shpërfaq në Kuvend koalicioni VANG (VV, Alternativa, Nisma dhe Guxo). VANG-un e pamë sot të funksionojë, sepse këta po vetëquhen që janë në koalicion përbrenda, dhe VANG iu shkon”, tha Dërguti.
Ajo tha se statusi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk është aspak korrekt.
“Për një ligj që e ka nxjerrë vetë kjo qeveri, e i cili del se ka defekte, dhe deputetë e kanë respektuar ligjin e tij, dhe në fund të akuzohet opozita… dhe këtu është një e pavërtetë sa i përket Listës Serbe. Atë që kuptuam nga zoti Tahiri, Lista Serbe në takimin e Komisionit ka votuar për, ndërsa jashtë ka abstenuar”.
Sipas saj, do të ishte korrekte sikur Kurti të thoshte se seanca e sotme shpërfaqi një defekt ligjor, i cili në të ardhmen do të shqyrtohet.