Dështim në Sofje, Shkupi mbetet peng i vetos bullgare: Asnjë garanci për rrugën drejt BE-së!

Dështim në Sofje, Shkupi mbetet peng i vetos bullgare: Asnjë garanci për rrugën drejt BE-së!

Pa marrëveshje për çështjet kryesore, pa garanci për vazhdimin e procesit të integrimit evropian dhe me qëndrime të pandryshuara nga të dyja palët, ka përfunduar takimi i djeshëm në Sofje mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe ministres së Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova.

Rezultati i takimit përputhet me pritjet e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili dy ditë më parë deklaroi se, duke u bazuar në sjelljen e autoriteteve zyrtare bullgare, nuk pret ndonjë rezultat konkret nga bisedimet.

Takimi u zhvillua më 8 tetor, në margjinat e konferencës ndërkombëtare ministrore kushtuar Korridorit 8. Edhe pse të dyja palët i cilësuan bisedimet si konstruktive, nuk u shënua përparim thelbësor për çështjet që vazhdojnë të pengojnë avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Mickoski, më 6 tetor, kishte shprehur publikisht pritjet e tij, duke iu referuar analizës që ia kishte paraqitur ministrit Mucunski dhe përvojës së deritanishme me autoritetet bullgare.

“Duke pasur parasysh analizën që dje ia thashë ministrit të Punëve të Jashtme, do të jem sërish diplomatikisht jokorrekt: duke marrë parasysh sjelljen e Sofjes zyrtare, nuk pres konfirmim, nuk pres asgjë. Pres një lloj dialogu ‘në kalim e sipër’, siç themi ne, dhe kaq”, deklaroi Mickoski.

Mucunski: Nuk zgjidhëm asnjë nga çështjet kryesore

Pas takimit, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, pranoi hapur se bisedimet nuk sollën zgjidhje për asnjë nga çështjet madhore dhe se dallimet mes dy vendeve vazhdojnë të jenë të thella.

“Duhet të jem plotësisht transparent: nuk zgjidhëm asnjë nga çështjet kryesore. Qëndrimet tona mbeten larg njëri-tjetrit, për këtë nuk ka dyshim. Megjithatë, diskutuam në frymë pozitive për zhvillimin e dialogut mes dy vendeve në periudhën e ardhshme”, deklaroi Mucunski.

Një nga çështjet qendrore ishte kërkesa e Shkupit për parashikueshmëri të procesit evropian dhe garanci se, pas përfshirjes eventuale të bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, nuk do të paraqiten bllokada të reja dypalëshe.

Ministrja bullgare, Velislava Petrova-Çamova, u përgjigj se asnjë shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk mund t’i japë garanci një vendi kandidat për rrjedhën e mëtejshme të procesit të anëtarësimit.

Sipas saj, Bullgaria mund të shprehë vullnet politik për respektimin e detyrimeve të marra përsipër, ndërsa rruga më e drejtpërdrejtë për Maqedoninë e Veriut mbetet zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në vitin 2022.

Ajo theksoi se Sofja mbështet perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por kushtet nuk kanë ndryshuar. Bullgaria pret zbatimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të elementeve të tjera të kornizës negociuese të dakorduar.

Petrova-Çamova bëri të ditur se gjatë takimit e kishte pyetur Mucunski edhe për afatin kohor kur pala maqedonase parashikon realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Sipas saj, ministri maqedonas ishte përgjigjur se fillimisht duhet të ndërtohet besimi mes dy vendeve.

Shkupi druhet nga kërkesa të reja dypalëshe

Mucunski, nga ana e tij, theksoi se mungesa e besimit është një nga problemet më të mëdha në marrëdhëniet me Bullgarinë, duke iu referuar përvojës së deritanishme me kërkesat dypalëshe.

“Qëndrimet tona janë plotësisht të qarta. Është interes strategjik edhe i Bullgarisë që ne të ecim përpara në rrugën evropiane. Por ne jemi një vend që ndër vite është përballur vazhdimisht me kërkesa dypalëshe. Sa herë që mbyllej një çështje dypalëshe, më pas hapej një tjetër”, deklaroi Mucunski.

Ai përsëriti se çështjet që lidhen me gjuhën, identitetin, historinë dhe kulturën maqedonase nuk duhet të rëndojnë rrugën evropiane të vendit.

Pavarësisht dallimeve, dy ministrat u pajtuan që komunikimi të vazhdojë. Në takim u diskutua edhe Plani i Veprimit për pakicat, për të cilin u dakordua që bisedimet të vijojnë në periudhën e ardhshme.

Mucunski theksoi se pa dialog nuk mund të arrihet zgjidhje, por paralajmëroi se vazhdimi i bisedimeve nuk garanton domosdoshmërisht tejkalimin e mospajtimeve.

Rasti i Iva Mihajlovës nga Koçani

Në takim u hap edhe çështja e Iva Mihajlovës nga Koçani, e cila përballet me procedurë gjyqësore lidhur me një aksident trafiku me pasoja fatale dhe kërkon trajtim mjekësor në Bullgari.

Ministrja bullgare e cilësoi rastin si çështje humanitare dhe përshëndeti gatishmërinë e palës maqedonase për të lejuar mjekë bullgarë që ta ekzaminojnë Mihajlovën.

Mucunski theksoi se duhet të bëhet dallim mes procedurës gjyqësore dhe gjendjes shëndetësore të të akuzuarës. Ai nënvizoi se pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhyjë në vendimet gjyqësore, por se Mihajlova ka të drejtë të marrë kujdesin e duhur shëndetësor.

Sipas informacioneve të publikuara, është rënë dakord që personel mjekësor nga Bullgaria të vijë në Maqedoninë e Veriut për të kryer ekzaminime dhe për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të saj, si dhe trajtimin e nevojshëm.

Ndërkaq, e pyetur nëse me Mucunski kishte diskutuar për eshtrat e Car Samuilit, çështje që ditët e fundit ka nxitur reagime në të dyja vendet, Petrova-Çamova u përgjigj se kjo temë nuk ishte pjesë e takimit dypalësh.

Korridori 8 dhe bisedimet me Brukselin

Përveç takimit me homologen bullgare, Mucunski mori pjesë edhe në konferencën ndërkombëtare kushtuar Korridorit 8, ku theksoi rëndësinë ekonomike, transportuese dhe të sigurisë së këtij projekti.

Ai deklaroi se Korridori 8 është shumë më tepër sesa një projekt për lidhjen infrastrukturore të vendeve, duke e cilësuar si strategjik për ndërlidhjen e Detit Adriatik me Detin e Zi, si dhe për sigurinë evropiane dhe transatlantike.

Mucunski bëri të ditur se po përparon realizimi i segmenteve kryesore rrugore dhe hekurudhore. Gjithashtu, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për tunelin hekurudhor ndërkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, komisioni i përbashkët ka mbajtur tashmë dy takime.

Maqedonia e Veriut ka shprehur gatishmërinë që të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm ministror për Korridorin 8, me qëllim vazhdimin e koordinimit mes shteteve të përfshira në projekt.

Ministri informoi gjithashtu për bisedimet me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë të cilave janë diskutuar marrëdhëniet me Bullgarinë, roli i mundshëm i Bashkimit Evropian në proces dhe çështjet që lidhen me agjendën e reformave.

Takimi në Sofje u zhvillua në një periudhë kur Brukseli pret që Maqedonia e Veriut të përmbushë detyrimet e përcaktuara në kornizën negociuese evropiane, ndërsa Qeveria në Shkup kërkon më shumë parashikueshmëri dhe siguri se çështjet dypalëshe nuk do ta bllokojnë sërish procesin e integrimit.

Pas bisedimeve të 8 tetorit, të dyja palët vazhdojnë të mbeten në pozicionet e tyre fillestare: Bullgaria insiston në përmbushjen e detyrimeve të vitit 2022, ndërsa Maqedonia e Veriut kërkon ndërtimin e besimit dhe më shumë siguri përpara se të ndërmarrë hapa për ndryshimet kushtetuese.

Për momentin, rezultati i vetëm konkret është dakordimi për vazhdimin e dialogut, pa asnjë marrëveshje për tejkalimin e mospajtimeve kryesore./INA/


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.