Abdixhiku kërkon përgjegjësi politike për vrasjen e Arlinda Zekajt: U shpërfaq dështimi institucional

Abdixhiku kërkon përgjegjësi politike për vrasjen e Arlinda Zekajt: U shpërfaq dështimi institucional

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe morale pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Pejë.

Duke hyrë në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku tha se vrasja e Zekajt dhe çdo ditë që kalon pas kësaj ngjarjeje e shpërfaqin dështimin institucional të vendit.

Ai kërkoi që përgjegjësia të shtrihet te zinxhiri komandues dhe te niveli politik, duke theksuar se deklaratat pas tragjedive nuk janë të mjaftueshme dhe se nevojitet përgjegjësi kolektive për dhunën ndaj grave në Kosovë.

“Vrasja e Arlindës dhe secila ditë që kalon tutje na shpërfaq dështimin institucional të Kosovës dhe padyshim se përgjegjësia duhet të jetë te zinxhiri komandues dhe ajo politike. Iu jap përgjegjësinë morale në këtë moment të rëndë, jo vetëm ndaj Arlindës, por për të gjithë dhunën sistematike të ushtruar ndaj gruas në Kosovë. Rastet e tilla nuk mjaftojnë vetëm deklarimet sa po ndodhin tragjedi, por përgjegjësi kolektive. Prandaj, përgjegjësia morale dhe politike në këtë drejtim është minimalja që duhet të ndodhë”, tha Abdixhiku.

Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra të dielën në Pejë. Të hënën, Policia e Kosovës arrestoi kunatin e saj, i cili dyshohet për vrasjen e saj.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.