PDK kërkon tri veprime të menjëhershme pas vrasjes së Arlinda Zekajt

PDK kërkon tri veprime të menjëhershme pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar tri veprime të menjëhershme pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, duke bërë thirrje për identifikimin e grave në rrezik, specializimin e ekipeve policore dhe reforma ligjore e buxhetore për mbrojtjen e grave.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Musliu tha se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të parandaluar raste të tilla, duke theksuar se urdhrat e mbrojtjes duhet të garantojnë siguri në praktikë dhe jo të mbeten vetëm dokumente.

“Partia Demokratike e Kosovës sot kërkon tri veprime të prekshme dhe imediate. E para, rishikim urgjent të rasteve me rrezik të lartë. Prokuroria, Policia dhe shërbimet sociale duhet të koordinohen sot për të identifikuar gratë në rrezik. Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë dhe jo domosdoshmërisht një dokument i vdekur në letër”, tha Musliu.

Si veprim të dytë, ajo kërkoi krijimin e ekipeve të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Musliu kërkoi gjithashtu llogaridhënie për zyrtarët që neglizhojnë sinjalet e dhunës, duke bërë thirrje për shkarkim dhe ndjekje penale të tyre.

“Neglizhenca ndaj dhunës nuk është gabim procedure, por bashkëfajësi në krim”, theksoi ajo.

Si kërkesë të tretë, deputetja e PDK-së përmendi reformën ligjore dhe buxhetore, përfshirë rishikimin e dënimeve për vrasjet me motive gjinore dhe sigurimin e financimit për strehimoret që ofrojnë mbrojtje për gratë.

Këto kërkesa vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, rast që ka nxitur reagime dhe thirrje për përgjegjësi institucionale në trajtimin e dhunës ndaj grave.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.