Dështimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lënë dyshime për manipulim të procesit zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që nga e diela po përballet me probleme teknike në sistemin online të përditësimit të rezultateve zgjedhore, duke sjellë shifra të pazakonta tek partitë dhe disa komuna të Kosovës. Këto pengesa kanë shkaktuar shqetësime të shumta, duke ngritur dyshime për transparencën dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Mungesa e qartësisë dhe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që nga e diela po përballet me probleme teknike në sistemin online të përditësimit të rezultateve zgjedhore, duke sjellë shifra të pazakonta tek partitë dhe disa komuna të Kosovës.
Këto pengesa kanë shkaktuar shqetësime të shumta, duke ngritur dyshime për transparencën dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Mungesa e qartësisë dhe vonesat në publikimin e rezultateve kanë ndikuar negativisht në besimin e qytetarëve dhe krijojnë paqartësi për vullnetin e tyre të shprehur nëpërmjet votës.
Kështu po e vlerësojnë këtë situatë të krijuar në KQZ, njohësit e fushës së këtij procesi.
Mazllum Baraliu: Gabimi i KQZ-së është moskrijimi i një plani rezervë, vonesa ndikon në besueshmërinë e qytetarit
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, është prononcuar për “Front Online” mbi problemet teknike që ka hasur KQZ në procesin e numërimit të votave pas zgjedhjeve.
Ai shprehet se këto janë çështje teknike dhe nuk lidhen me vullnetin e individëve.
“Këto janë çështje teknike nuk është vullnet i dikujt, krahas përgjegjësisë që kanë është edhe obligimi ligjor, morale e politike ata kanë dëshirë sa më parë të kryhet ky proces”, deklaroi ai.
Baraliu kritikoi KQZ-në për mungesën e një plani rezervë, duke thënë se teknika mund të dështojë në çdo moment, por një “plan B” ishte thelbësor për të shmangur ndikimin në besueshmërinë e qytetarëve.
“Gabim i KQZ është që s’kanë bërë plan rezervë. Teknika në një moment dështon por plani B është dashur të jetë se është çështje sensitive dhe ndikon tek besueshmëria e qytetarit. Duhet të ketë një përgjegjësi, e të gjitha shigjetat nuk drejtohet drejt KQZ se është punë teknike”, shprehet Baraliu.
Ish-anëtari i KQZ-së: Problemet teknike janë absurde dhe po vonojnë procesin zgjedhor
Ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Fadil Maloku ka shprehur shqetësimin për problemet teknike të lidhura me publikimin e rezultateve të zgjedhjeve.
Ai thotë për “Front Online” se KQZ ka marrë shumë kompetenca që nuk janë në përputhje me ligjin.
Maloku ngriti dyshime serioze për pengesat e paraqitura në faqen e KQZ-së, duke sugjeruar se mund të ketë pasur ndonjë dorë të jashtme.
“KQZ ka marr shumë kompetenca që nuk i takojnë me ligj. Akti dhe fakti i dyshimit për pengesat që u paraqitën në sajtin e KQZ-së, me bëjnë të dyshoj se mos është ndonjë dorë dhe ka dyshime se edhe është hakuar ajo faqe dhe Prokuroria duhet të merr masa”, shprehet Maloku.
Maloku tha se ka paralajmërime për rinumërim dhe kontestime që po e vonojnë procesin, duke e cilësuar këtë situatë si absurde dhe të panevojshme.
“Gjithë procesi zgjedhor, po hyn në një fazë të kontestimit. Ka paralajmërime për rinumërim. Këto janë aq absurde aq të panevojshme që nuk ishte dashur fare të ndodhin”, deklaroi Maloku.
Blerim Canaj: Qytetarët po humbasin besimin në procesin zgjedhor
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Canaj ka folur për “Front Online” lidhur me problemet teknike që po has KQZ pas mbarëvajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai thotë se “diçka po ndodh” me KQZ-në, kur vërehen ulje e ngritje të votave, dhe kjo mund të ndodhë një herë, por jo të përsëritët.
Sipas tij, problemet teknike në ëeb faqen e Komisionit Zgjedhor kanë zbehur besueshmërinë e qytetarëve.
“Ky problem ka filluar ta zbehë besueshmërinë e qytetarëve. Këtu diçka po ndodh dhe rastësisht mund të ndodh njëherë por jo gjatë gjithë kohës, qytetarët po ankohen për ulje e ngritje të votave këtu diçka po ndodh”, deklaroi Canaj.
Canaj ka shtuar se partitë politike kanë të drejtën të ankohen për këtë pasiguri.
“E qëndrim të qartë nuk kemi, partitë kanë drejtë të ankohen se po zgjat shumë”, shprehet Canaj.
Bunjaku (FOL): Dyshimet për mos transparencë po rriten për shkak të problemeve teknike në KQZ
Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL e ka cilësuar si shqetësuese procesin e numërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Problemet dhe paqartësitë qe po i shohim, janë për shqetësim pasi që ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, dhe kemi të bëjmë me vullnetin e qytetarëve, me votën e tyre dhe qytetarët janë të afektuar pasi votën duan ta mbrojnë dhe jo cenuar”, theksoi Bunjaku.
Bunjaku tha për “Front Online” se këto probleme teknike rrisin dyshimet për mos transparencë të procesit.
“Probleme të tilla janë indikacion për ulje të besimit dhe na bën të dyshojmë për transparencën e këtij procesi”, thotë ajo.